Hariri: Do të kthehem në Liban

E publikuar: 18/11/2017 19:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, u prit sot nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin Elysee. Pas takimit, zoti Hariri informoi mediat se synon të kthehet në Liban në ditët në vazhdim, ku edhe do të bëjë të ditur pozicionin e tij. Largimi i zotit Hariri nga Arabia Saudite u dha fund dy javëve të trazuara, pasi ai pati njoftuar nga Riyadhi dorëheqjen e tij si kryeministër i Libanit, duke fajësuar Iranin dhe grupin Hezbollah.

Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, u prit në Pallatin Elysee në Paris, për të biseduar me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ofroi ta ndihmojë për të zgjidhur situatën e pazakontë dhe dramatike të skenës politike në Liban.

Pas takimit, zoti Hariri bëri një deklaratë të shkurtër për gazetarët.

“Për sa i përket situatës politike në Liban… Unë do të shkoj në Bejrut në ditët në vazhdim. Do të marr pjesë në festimet për pavarësinë dhe atje do ta bëj të njohur pozicionin tim, pasi të jem takuar me Presidentin Aoun”, informoi mediat Kryeministri Hariri.

Zoti Hariri pati njoftuar në televizionin saudit dorëheqjen e tij, duke ngjallur kështu përshtjellim dhe skepticizëm. Siç njoftoi zoti Macron dje nga Suedia, zoti Hariri u prit si kryeministër i Libanit, pasi dorëheqja e tij nuk u pranua në Liban. Presidenti francez gjithashtu pati hedhur poshtë spekullimet se i ka ofruar azil zoti Hariri.

Largimi i zotit Hariri nga Arabia Saudite u dha fund dy javëve të trazuara, pasi ai njoftoi nga Riyadhi dorëheqjen e tij si kryeministër i Libanit, duke fajësuar Iranin dhe grupin Hezbollah, që është pjesë e qeverisë libaneze. Zoti Hariri u shpreh i frikësuar për jetën e tij.

Ky njoftim i tij nxorri në pah ndasitë e thella politike në Liban, një vend i dyzuar mes influencës konkuruese të Teheranit shiit dhe Riyadhit sunit, si dhe ngjalli akuza se sauditët po e mbanin zotin Hariri kundër dëshirës së tij.

Vizita në Paris e zotit Hariri, shënon një fitore diplomatike për Presidentin 39-vjeçar të Francës dhe zotimin e tij për të rikthyer Francën në skenën botërore.