Haraqija: PAN i ka të sigurta më shumë se 61 vota

E publikuar: 21/07/2017 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Astrit Haraqija, tha se në bazë të informacioneve që ka, koalicioni PAN i ka votat e sigurta.

Në emisionin “InfoBox” në RTV Dukagjini, Haraqija u bëri thirrje deputetëve të zgjedhur të LDK’së, që ta përkrahin kandidatin për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinajn.

“Me aq sa di unë PAN i ka votat e sigurta, dhe mendoj që i ka më shumë se 61, dhe kuptohet që edhe me votën e Teuta Rugovës”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje te Isa Mustafa që t’i lë teket personale dhe të mos e fut në krizë vendin.

“Kërkoj nga LDK’ja që t’i lënë teket dhe të futen në institucione sa më shpejt dhe t’i bashkohen Haradinajt”, shtoi Haraqija.

Astrit Haraqija është shprehur i bindur se do të ketë edhe deputetë tjerë nga LDK’ja që do ta votojnë koalicionin PAN.