Haradinaj: Zhvillimi ekonomik rajonal, kontribuon në paqen dhe stabilitetin e Evropës Juglindore

E publikuar: 01/09/2018 12:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kroaci, sot ka marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut, me temë “Fuqizimi i qëndrueshmërisë Mediterani, Evropa dhe Ballkani Perëndimor”.

Në fjalën e tij kryeministri Haradinaj tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe kontribuuese e rëndësishme në të gjitha iniciativat rajonale që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik rajonal dhe hapjen e perspektives evropiane.

Para të pranishmëve në këtë forum, Kryeministri Haradinaj ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet vendeve duhet të jetë në funksion të integrimeve evropiane, dhe për këtë Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur orientimin e qartë properëndimor dhe përcaktimin euroatlantik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe në NATO.

“Jemi duke punuar me përkushtim për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, fuqizimin e sundimin të rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të njëjtën kohë po punojmë në Agjendën e Reformave Evropiane, ERA 2”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka folur për sundimin e ligjit si prioritet i Qeverisë së Kosovës që dëshmon se vendi po e përmbyllë me sukses procesin e liberalizimit të vizave, si dhe tranzicionin e Forcave të saj të Sigurisë.

“Kosova është gati, po ashtu, për tranzicionin e FSK-së në ushtri, si një trupë gjithëpërfshirëse e profesionale, sipas standardeve të NATO-s.”

Kryeministri Haradinaj foli edhe për raportet ndërfiqnjësore, për të cilat tha se Kosova është duke punuar për ndërtimin e paqes dhe perspektivës, duke vlerësuar se ka raporte të mira me shumicën e vendeve, e që është në proces të normalizimit të marrëdhënieve edhe me shtetin fqinj Serbinë.