Haradinaj: Vizat para pushimit të verës

E publikuar: 20/04/2018 16:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas disa mungesave në Parlamentin e Kosovës, sot iu bashkëngjit seancës ku po flitet për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Haradinaj me këtë rast tha se nuk ishte në shtëpi ashtu siç tha deputeti Ilir Deda, por ishte në një takim me zyrtar të NATO-s, raporton “Zëri.info”.

“Nuk i ikim parlamentit, nuk jemi në shtëpi sikur është thënë sot, kjo seancë është kërkuar dje për sot dhe Qeveria ka obligime që i merr, unë po vi nga një takimi me NATO-n, e këto janë takime që organizohen me muaj përpara”, tha Haradinaj duke iu adresuar kritikave të deputetëve që ai nuk ishte sot pjesë e debatit të sotëm.

Haradinaj, ka thënë se liberalizimi i vizave mund të ndodhë para pushimit të verës,

“Liberalizimi i vizave ka me ndodhë para pushimit të verës”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se megjithatë nuk do të futet në caktim date fikse, raporton tutje “Zëri.info”

Ndërsa debatin e sotëm për Raportin e Progresit, Haradinaj e quajti të gabuar sepse sipas tij ende nuk është analizuar mjaftueshëm.

“Ftesa për një seancë të shpejt për Raportin e Progresit është gabim sepse një raport i tillë e kërkon një analizë më serioze, dhe duhet të ja leni një proces edhe Qeverisë edhe vetës për këtë raport. Nuk e kuptoj çka është dallimi nëse e mbajmë sot këtë seancë, apo javën e ardhshme”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa duke folur për Raportin e Progresit Haradinaj nuk i ka komentuar raportin në përgjithësi, por vetëm ka përmendur të gjeturat kryesore./ZERI