Haradinaj: Ushtria e Kosovës do të jetë partnere e KFOR-it

E publikuar: 26/04/2018 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se Forcat e Sigurisë së Kosovës është shtëpi për të gjithë dhe se transformimi i saj nuk ndryshon një gjë të tillë, e as nuk do ta zëvendësoj KFOR-in.

“E vërteta e Kosovës është që çdo qytetar i këtij vendi, ashkali, serbë, romë etj të ndjehen se janë në shtëpinë e tyre. Tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk e ndërron këtë gjendje por vetëm e forcon ndjesinë e të qenit shtëpi për te gjithë”

“Gjithashtu tranzicioni i FSK-së nuk e prek as rolin e KFOR-it në Kosovë. Ata janë për sigurinë tonë dhe të regjionit”

Haradinaj theksoi se nuk do të heq dore për të dëshmuar se Kosova është shtëpi e të gjithëve, njëkohësisht edhe për t’ju dëshmuar partnerëve ndërkombëtar se kontributi i tyre ia ka vlejtur.

Këto komente, siç transmeton RTK, Haradinaj i bëri në adresimin e tij në Konferencën organizuar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës “FSK dhe Partnerët”.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka prezantuar kapacitetet dhe të arriturat e FSK-së para të pranishmeve.

“ Vetëm gjate vitit të kaluar kemi pasur dhjetëra pjesëtarë tonë që kanë marrë pjesë në shkollime përkrah aleatëve tanë, kemi ofruar ndihmë në deminim në mënyrë që të krijojmë ambient të sigurt, kemi krijuar qendrën e studimeve universitare katër vjeçare ku pjesëtaret tanë marrin edukimin e nevojshëm. Forca jone është dinamike veçanërisht në profesionalizëm dhe në kuadër të kësaj kemi pasur mbi 200 aktivitete”

Konferenca do të fokusohet në planet bilaterale vjetore për vitin 2018 midis Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe partnerëve bilateral, si dhe nevojat dhe kërkesat e FSK-së për zhvillim të mëtejshëm për 2019/2020.

Ky aktivitet ka për qëllim që të mbledhë të gjithë aktorët mbështetës të Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim të koordinimit të mbështetjes së ofruar nga vendet partnere me të cilat MFSK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi./koha.net/