Haradinaj: Turqia vazhdon të jetë partner strategjik i Kosovës

E publikuar: 20/10/2018 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramush Haradinaj është takuar sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Turqisë janë të mira dhe këtë frymë mirëkuptimi të ndërsjellë do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Republika e Turqisë do të ketë një rol të veçantë në përkrahje të Kosovës për anëtarësimin në INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe në shtimin e njohjeve të reja për Kosovën”, tha Haradinaj.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me Republikën e Turqisë, kryeministri Haradinaj tha se Turqia është dhe vazhdon të mbetet partner strategjik në fushën e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Sipas kumtesës nga ky takim, Haradinaj e ka njoftuar ministrin Çavusoglu për zhvillimet e fundit në Kosovë, për progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike, rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si dhe për angazhimin e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, liberalizimin e vizave si dhe për procesin e njohjeve.

Haradinaj e ka falënderuar ministrin Çavusoglu për mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të jep Turqia në forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Ndërsa, përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “nga ministri turk Çavusoglu u sigurova për mbështetjen e plotë të shtetit turk për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe lobimin për shtimin e njohjeve të reja”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke konfirmuar angazhimin e shtetit të tij për proceset zhvillimore në Kosovë, për mbështetjen e Kosovës në rrugën euroatlantike dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Në takim, po ashtu është biseduar edhe për rolin e komunitetit turk në institucionet e vendit dhe shtendërtimin e Kosovës, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë kanë të drejta të afirmuara, poashtu edhe komuniteti turk është i përfaqësuar në të gjitha institucionet e Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demir dhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.