Haradinaj thotë se shtetasi rus i arrestuar në veri ishte spiun

E publikuar: 31/05/2019 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Policia e Kosovës, gjatë operacionit të kësaj jave në disa pjesë të territorit të Kosovës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, ka arrestuar një qytetar rus, i identifikuar me emrin Mikhail Krasnoshchenkov, e për të cilin thotë se ishte “spiun” i kamufluar si punëtor i UNMIK-ut.

“Policia e Kosovës gjatë operacionit kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës ka arrestuar një qytetar rus, një spiun të kamufluar si punëtor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i cili ka penguar sundimin e ligjit duke përdorur veturën zyrtare të OKB-së”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai thotë se i njëjti ka penguar sundimin e ligjit duke përdorur veturën zyrtare të OKB-së.

“Veprimet e tij janë kundër së drejtës dhe normave ndërkombëtare. Pengimi i drejtësisë dhe keqpërdorimi i simboleve të OKB-së janë shkelje e rëndë. Misioni i Rusisë pranë OSBE-së duhet ta kuptojë se sundimi i ligjit është përgjegjësi e jona ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës në një shoqëri që ne ndajmë së bashku”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

Për arrestimin e Krasnoshchenkovit pati reagime të shumta nga ana e zyrtarëve shtetërorë rusë.