Haradinaj thotë se Kosova s’do të gabojë në dialog

E publikuar: 31/07/2018 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e mërgatës në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova, që prej luftës për liri e deri në ditët e sotme në ndërtimin e shtetit dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Ai gjatë një takimi me bashkatdhetarë, ka kujtuar takimet e tij mërgimtarë në kohëra të ndryshme, që prej përpjekjeve për lirinë e Kosovës.

“Kontributi i juaj për lirinë e vendit, ka plotë që janë në varrezat e dëshmorëve por që kanë qenë dikur njëjtë si ju, pra kanë ardhur prej juve, edhe ju keni ardhur shumë. Ndërtimin e lirisë një proces shumë i vështirë e keni përkrahur sidomos rimëkëmbjen e Kosovës menjëherë pas luftës kur Kosova ka qenë e shkatërruar, keni vazhduar ta përkrahni Kosovën atdheun tonë në çdo temë. Ajo që sot do ta veçoja është po, ajo pjesa e financave e remitencave që vijnë prej jush që janë shumë të çmuara për Kosovën, atdheun tonë, pra është një nxitje ekonomike e jashtëzakonshme, janë qindra milionë euro nga ju dhe qytetari i Kosovës e dinë këtë”, tha Haradinaj.

Ai me këtë rast u premtoi bashkatdhetarëve vazhdimin e punëve për përmirësimin e gjendjes për të sjellë investitorë, meqë aktualisht ka hezitime.

Me këtë rast ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ndërsa thotë se Kosova s’do t’ gabojë.

“Është folur për dialogun shumë, mos u frikësoni se Kosova tash bënë gabime pas 20 viteve, e kuptoni pse po dua të them. Nuk ka bërë 20 vite rrugë që tash të shkojmë të gabojmë, nuk do të gabojë Kosova, por bisedat e brendshme, debatet e brendshme janë të nevojshme, pikëpamjet e ndryshe, nuk janë negative, nganjëherë edhe mungesa e konsensusit ose mos me fol gjithë me një gojë siç thotë populli nuk është e dëmshme”, theksoi Haradinaj, raporton KP.

Emrush Çeku, që ka migruar në perëndim në vitet e 90-ta, ka kërkuar respektim të diasporës nga institucionet e vendit, e jo të maltretohen me pagesën e kartonit të gjelbër.

“Diaspora ka nevojë për një respekt të na bëni ju që jeni këtu nga kryeministri, ministrat. Që shumë vite ne vijmë dhe në kufi e paguajmë kartonin e gjelbër që nuk është e arsyeshme. Po ndihemi të injoruar dhe disi të dëmtuar moralisht që neve na pyetshin në kufi përpara, sa do të qëndrosh në Kosovë, sipas kohës tanë që rrinim na caktohej edhe shuma e pagesës”, tha Çeku.

Si me humor ndaj ankesës së mërgimtarit Çeku, u përgjigj kryeministri Haradinaj.

“Ministri i Diasporës deshi të japë përgjigje për kartonin e gjelbër, i thash jo, pa e heq krejt mos jep përgjigje, kur ta heqim po”, u shpreh Haradinaj.

Ndryshe, gjatë këtij takimi mërgimtarët kërkuan që të vazhdohet të punohet me reforma për të ngritur zhvillimin ekonomik, në mënyrë që të mos ketë kërkesa nga të rinjtë për të dalë jashtë vendit.