Haradinaj i thotë Mogherinit se Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim

E publikuar: 18/04/2018 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, bashkë me kryeministrat tjerë të Ballkanit Perëndimor, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sipas një njoftimi nga kryeministria, Haradinaj i ka thënë Mogherinit se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave dhe me të drejtë qytetarët e Kosovës presin që çështja e vizave të jetë çështje javësh.

“Kosova ka shënuar progres në shumë procese të rëndësishme, të nevojshme për integrimin e vendit në familjen evropiane dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj. Është një proces i gjatë për të cilin jemi të përkushtuar si Qeveri, andaj është e rëndësishme që kjo të vlerësohet dhe Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe me të drejtë pret që çështja e vizave të jetë çështje javësh ”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministria po ashtu ka bërë të ditur se forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishin temat tjera që u diskutuan në këtë darkë pune me 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.