Haradinaj: Të vendoset drejtësia për të gjitha viktimat, për të gjithë ata që janë flijuar dhe vrarë padrejtësisht

E publikuar: 02/05/2019 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë dhe bëri homazhe në Kompleksin Memorial te varrezat e 117 martirëve.

Me këtë rast, kryeministri Haradiaj tha se, ndodhet në një vend që flet vetë,  në vendin e 117 njerëzve të pafajshëm të pushkatuar e masakruar, por edhe të gjallë e të keqtrajtuar dhe ku ende nuk ka ndodhë drejtësia dhe nuk ka të dënuar.

“Përpos faktit që nuk është vendosur drejtësia për martirët e Studimes, e për plot të tjerë. Ata që i kanë kryer këto krime kanë filluar t’i mohojnë ato dhe po provojnë ta bindin botën që nuk i kanë bërë këto krime”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se për institucionet e vendit kurrë nuk është vonë të jenë të bashkuara dhe të vendoset drejtësia për të gjitha viktimat, për të gjithë ata që janë flijuar dhe vrarë padrejtësisht.

Kryeministri Haradinaj tha se është një ndjenjë e dhimbjes që të përshkruhen të gjitha ato që i kalojnë familjet edhe pas 20 viteve, por shprehu gatishmërinë që të jetë bashkë me Komunën në mënyrë që ky vend, ku pushojnë martirët, të kthehet në një memorial të respektuar dhe që të gjithë të ndjehen krenarë për përkujdesjen shtetërore të këtij memoriali.

Kryeministri Haradinaj, tha se njëkohësisht kanë mbetur edhe pak ditë, kur në Qeveri do të aprovohet projektligji për familjet e martirëve, për familjet e të pagjeturve.

“Për familjet e martirëve, është vërtetë një projektligj, që vërtetë iu jep statusin e merituar ligjor, me përparësitë e merituara dhe gjithë kujdesin që iu takon dhe kësisoj, populli i Kosovës e kryejnë obligimin që kanë ndaj kësaj kategorie jashtëzakonisht për respekt”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar që e drejta për viktimat asnjëherë nuk do të jetë e plotë, por duhet të jenë të bashkuar për të kërkuar drejtësi dhe të vihen para drejtësisë ata që i kanë kryer këto krime.

Një fjalë rasti e patën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ndërkaq në emër të familjarëve të martirëve, foli Fehmi Gërxhaliu./Infosot/