Haradinaj: Taksën e kemi vendosur si koalicion, jam duke e mbrojtur në emër të të gjithëve

E publikuar: 05/03/2019 15:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimin e kryeminstrit Ramush Haradinaj për taksë ndaj produkteve serbe fillimisht e kishin përkrahur fuqishëm të gjithë partnerët e koalicionit. Por presioni i madh i BE-së dhe SHBA-së për ta hequr taksën, ka bërë që partneri më i madh i Haradinajt, PDK-ja e Veselit, të kërkojë pezullimin e taksës. Një luhatje është parë edhe tek NISMA e Fatmir Limajt. Megjithatë Haradinaj sot është kujdesur që t’ua kujtoj atyre se vendimin për taksën e kanë marrë sëbashku, dhe se po e mbron në emër të koalicionit qeverisës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimin për taksën është duke e mbrojtur në emër të të gjithëve, pasi i gjithë koalicioni e ka marrë bashkë një vendim të tillë.

Haradinaj ka thënë se është shqetësues fakti që nuk ka unitet për taksën njëjtë sikurse për çështjen e Trepçës dhe Ushtrisë së Kosovës.

“Qëndrimet e mia i dini të gjitha. Nuk ka ndryshim në qëndrimet e mia. Pajtohem me Veselin që asnjë qeveri nuk e rrezikon miqësinë me Amerikën. Ka plotësisht të drejtë, që nuk e mbron Kosovën një person cilido qoftë. Prandaj e kam shpreh shqetësimin për mungesën e unitetit kur bëhet fjalë për tema të interesit nacional.Arsyeja pse e mbajmë një kurs të tillë është serioze. Duhet të bëjmë kujdes në veprime. Meqë është një veprim që e kemi marrë së bashku, unë  mbroj atë vendim në emër të të gjithëve, sepse e kemi marrë vendimin si qeveri, si koalicion”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, raporton Gazeta Express.

I pyetur nga Express rreth qëndrimit të Fatmir Limajt për çështjen e taksës, Haradinaj ka thënë se një mendim të tillë të kreut të  NISMA-s  e sheh si racional.

Për Haradinajn mungesa e unitetit është duke i shkaktuar probleme të mëdha vendit.

“Kam deklaru edhe më herët përçarja jonë në tema të interesit nacional i bon dëm vendit. Ia pamundëson edhe aleatëve tonë me marrë vendim. Për çdo temë që kemi përçarje, ua vështirëson edhe miqve tanë të kenë një qëndrim”, ka shtuar tutje kreu i Qeverisë.

Sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm që nesër t’i kthehen bisedimeve, por sipas tij Serbia e ka bllokuar dialogun duke vendosur kushte.

“Dialogu është i nevojshëm. Në këtë rast BE-ja dhe Amerikanët, në fakt jam shumë i gëzuar që janë ma të kyçur në temë. Dialogu mund të vazhdojë, që të arrijmë tek një kontratë finale, që nuk përmban elemente të kontaminuara, me çështje të kufijve e Dodik republika. Pra nuk jemi shumë larg në vija me Amerikën, edhe unë kërkoj e apeloj me vazhdu dialogu. Nuk po rrezikohet vetëm raporti Kosovë-SHBA, por edhe Serbi-BE. Imagjinoni që një vend që aspiron për BE, e qet kushte, nuk është fort në dobi të tyre. Beogradi është shkaktarë për ndaljen e dialogut. Ne kthehemi në tavolinë nesër, Beogradi ka qit kushte nuk po kthehet në tavolinë”, ka shtuar kryeministri Ramush Haradinaj.