Haradinaj-Stublla përkrah Hotin në dialogun me Serbinë

E publikuar: 19/07/2020 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla i ka dhënë mbështetje kryeministrit Avdiullah Hoti për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë duke respektuar integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

Ajo në një postim në Facebook shkruan se çdo përpjekje për devijim nga këto dy parime do të dështojë siç kanë dështuar në të kaluarën.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk ka asnjë marrëveshje as zotim ndaj Serbisë, dhe aq më pak për të hequr dorë nga avancimi e forcimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar. MPJD e përkrah kryeministrin Hoti dhe ekipin gjithëpërfshirës të Republikës së Kosovës, për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë duke respektuar dy parimet e pa negociueshme: integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Haradinaj-Stublla./kp/

Postimi i plotë:

Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, i njohur nga gati 2/3 e botës, dhe e anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare e rajonale.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, NUK ka asnjë marrëveshje as zotim ndaj Serbisë, dhe aq më pak për të hequr dorë nga avancimi e forcimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar!

MPJD e përkrah Kryeministrin Hoti dhe ekipin gjithëpërfshirës të Republikës së Kosovës, për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë duke respektuar dy parimet e panegociueshme: integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

Çdo përpjekje për devijim nga këto dy parime do të dështojë, siç edhe kanë dështuar në të kaluarën.