Haradinaj: S’kam akoma ftesë nga presidenti, kam ftuar partnerët e kaolicionit nesër në takim

E publikuar: 29/07/2019 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e ka pranuar akoma një ftesë zyrtare nga presidenti Hashim Thaçi për konsultat që ky i fundit duhet t’i thërrasë me partitë politike, bazuar në Kushtetutë.

“Unë kam kërkuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së dhe nënkryetari i partisë Ahmet Isufi që t’i fillojë konsultat me Grupet e tjera Parlamentare që ta përkrahin shpërbërjen e Kuvendit që të mos vonohet shkuarja në zgjedhje”.

“Presidenti [Hashim Thaçi] ka paralajmëruar, por ende nuk e kemi marrë ftesë zyrtare për takim, por mirë është t’i respektojë afatet kohore të parapara kushtetuese dhe ligjore që të veprojë”.

Ai në një konferencë për media tha se ndonëse ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit vazhdon të ketë përgjegjësi institucionale, njofton Klan Kosova.

“Si kryetar i Qeverisë, unë nuk kam interes që pas dorëheqjes të vi në zyre të Qeverisë. Nuk vi se është më fllad, por vi se mbaj përgjegjësi që derisa dikush ta marrë këtë punë mos të lë vakum qeverisës”.

Kryeministri në dorëheqje ka thënë po ashtu se nga data kur e ka dorëzuar në mënyrë zyrtare shkresën për dorëheqje ka nisur numërimi për afatet kohore të parapara sipas ligjit.

“Unë shkresën për dorëheqje e kam dorëzuar zyrtarisht me datën 22 korrik, prandaj që nga ajo ditë ka filluar numërimi kohor. Mirë është që të respektohen të gjitha afatet kohore të parapara për këtë”.

“Mirë është që të ndodhin konsultat. Është situatë bukur e thjeshtë sepse do të ishte ndryshe sikur të ishim të përçarë pozitë dhe opozitë. Ka vullnet deklarativ të vazhdueshëm që të shkojmë në zgjedhje, kësisoj është rast gati unik kur të gjithë jemi dakord që të shkojmë në zgjedhje”.

“Dorëheqja nuk ka ardhur për shkaqe të brendshme. Kam mjaft kurajo njerëzore dhe politike që ta adresoj arsyen e çdo veprimi tim, qoftë edhe kur është jo e pëlqyeshme. Dorëheqja është shkak i ftesës nga Gjykata Speciale sepse nuk kam mundur ta nxjerr shtetin e Kosovës para prokurorëve”.

Haradinaj ka njoftuar se e ka thirrur një takim për nesër me liderët e partive politike që është aktualisht edhe në koalicion qeverisës.

“E kam ftuar për nesër Kadri Veselin, Fatmir Limajn dhe partnerët e tjerë të koalicionit për një konsultë”.

Madje, kur është pyetur nga gazetarët se për çfarë do të bisedohet në këtë konsultë, ai ka deklaruar se do të flitet për “ngrohjen globale”.

Por, kur i është kthyer seriozitetit, ka deklaruar se AAK-ja shkon e vetme në zgjedhje duke shtuar se rrugët nuk i ka ndarë me askënd.

“Nëse po flisni se si do të garojmë në zgjedhje, atëherë AAK-ja do të shkojë vet në zgjedhje. Rrugët nuk i ndaj me askënd të Kosovës përderisa i ndihmojnë Kosovës, por mund t’i ndajmë në tema”.