Qeveria e Kosovës miraton Strategjinë për Ndryshime Klimatike

E publikuar: 19/02/2019 15:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar Strategjinë për Ndryshime Klimatike e propozuar nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Kjo strategji sipas ministrit është një hap fillestar për menaxhimin e politikave të cilat janë për zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë dhe për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.

Strategjia është paraparë për një periudhë dhjetëvjeçare.

Njoftimi i plotë i ministrit Matoshi:

Me propozimin tim, sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Strategjinë për Ndryshime Klimatike e cila është hap fillestar në procesin e menaxhimit të politikave për zvogëlimin e emisioneve të gazrave serrë dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Kjo strategji përcakton politikat shtetërore për ndryshime klimatike për dhjetë vitet e ardhshme dhe përfshinë edhe Planin e Veprimit.

Kjo Strategji ka përcaktuar pesë objektiva strategjike:

1. Zhvillimi i kapaciteteve të Kosovës për përmbushjen e obligimeve në kuadër të Konventës UNFCCC dhe BE-së;
2. Zvogëlimi i emetimeve të GS;
3. Zhvillimi i mekanizmave të ri dhe përmirësimi i atyre aktualë në zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë, në sektorët me rëndësi ekonomike që janë të cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike;
4. Ngritja e kapaciteteve për përshtatje të sistemeve natyrore;
5. Ngritja e kapaciteteve të partnerëve, akterëve dhe hisedarëve qendrorë dhe lokalë për integrimin e çështjeve të ndryshimeve klimatik dhe përshtatjes në proceset e zhvillimit.