Haradinaj: Shkuarja në zgjedhje precedent pozitiv për të ardhmen e vendit

E publikuar: 06/02/2016 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shkuarja në zgjedhje në këtë kohë do të ishte precedent pozitivë për të ardhmen e vendit.

Ai ka thënë se për një shoqëri e cila synon të jetë demokratike precedent më të mirë për shkuarje në zgjedhje e cila vjen pas shkeljes së Kushtetutës nga ana e Qeverisë nuk ka.

Haradinaj në një postim në Facebook, ka shkruar se nëse shkohet në zgjedhje i garantojmë vetvetes se për çështje të rëndësisë së veçantë, përgjegjësia e institucioneve duhet të jetë e nivelit më të lartë.

Ai po ashtu ka thënë se nëse nuk shkohet në zgjedhje ky do të ishte një precedent i keq dhe i rrezikshëm

Pse zgjedhjet në Kosovë janë precedent pozitiv?

Nuk ka precedent më të mirë, më pozitiv, më të shëndoshë për një shoqëri e cila synon të jetë dinamike, precedent më demokratik për një shtet se sa shkuarja në zgjedhje, e cila vjen si rrjedhojë e shkeljeve të rënda kushtetuese, e dëshmuar edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin tonë, shkelja kushtetuese është e një rëndësie të veçantë, sepse ndërlidhet me fatin e shtetit dhe funksionalitetin e tij, me fatin e gjeneratave të ardhshme. Këtu nuk kemi të bëjmë me një vendim, marrëveshje, nënshkrim të rëndomtë, si shembull: marrëveshje mbi ujërat e zeza apo emisionet e gazit në ambient. Këtu kemi të bëjmë më nënshkrimin e marrëveshjeve, të cilat në mënyre të drejtpërdrejtë cenojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial të shtetit tonë.

Rrjedhimisht, me zgjedhje, ne i garantojmë shoqërisë sonë, qytetarëve në përgjithësi, vet shtetit, sot e edhe për të ardhmen, se për çështjet e rëndësisë së veçantë, të cilat janë subjekt i dispozitave kushtetuese, sovranitetit dhe integritetit territorial, qeveria duhet të jetë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë institucionale, dhe çfarëdo shkelje apo devijim nga këto dispozita kushtetuese, pa pëlqimin gjithëpërfshirës, konsensusit nacional, nuk mundet dhe nuk duhet të kalojnë, pa pasur konsekuenca politike. Nuk mundemi të sillemi sikur gjithçka është e zakonshme, kjo do të paraqiste precedent të rrezikshëm për të ardhmen tonë.

Precedent i rrezikshëm do të ishte, që nëse mbas këtyre shkeljeve, një qeveri vazhdon të qeverisë, duke mos pasur përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve te saj, dhe të sillet thuajse asgjë nuk ka ndodhur! Ky është një precedent i rrëzikshëm dhe i përhershëm, i cili nuk duhet të lejohet të instalohet në logjikën qeverisëse të udhëhequr nga kushdo qoftë.

Pra, ne me kërkesën për zgjedhje po krjojmë precedent pozitiv, precedent mbrojtës, precedent ndëshkues ndaj cilësdo qeveri, sot por edhe në të ardhmen, duke iu treguar dhe bërë thirrje, se shkeljet kushtetuese nuk bën të tolerohen asnjëherë dhe shkelësit duhet të thirren dhe të mbajnë përgjegjësi institucionale, politike dhe publike – kushdo qofshin ata, sot apo nesër!

Këto praktika nuk janë të panjohura për shtetet dhe shoqëritë demokratike, kur vendi shkon në zgjedhje për shkak të qeverisjes së keqe.