Haradinaj: Sa shkojnë me Gjuriqin, VV-ja më mirë të kryejë punë me Isa Mustafën

E publikuar: 10/12/2019 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas kritikave që Vetëvendosje ia bëri kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj për emërimin e bashkëpartiakut Burim Ramadani në pozitën e kryeinspektorit të AKI-së, i pari i AAK-së ka thënë se VV-ja duhet të “rrijë këtu të krijojë institucionet e të mos shkojë turizëm me Gjuriqin”.

“Le të mshelen qetu, le t’i krijojnë institucionet. Sa e sheh turizëm… duke shkuar nëpër konferenca si Xhelal Sveçla, si Albini me Gjuriqin. Çfarë zori pat Albini të shkoj me Gjuriqin. Rri vëlla sa shkon me Gjuriqin, shko me Isa Mustafën kryej punë. E pastaj me thanë ti po emëron në AKI, pse tash me lënë në vakum ne?” ka deklaruar Haradinaj.

“Unë e kam njëfarë konsiderate, nuk dua çdo herë me ra në nivel të gjithkujt në këtë vend, por një send e kam pasur prej që jam le, qashtu ju koftë, kur ishim fëmijë e përdornim, qashtu qysh po më thua, qashtu ju koftë. Nganjëherë ndalem, them hajt se prej mosdijes. Sot është mirë me pas kujdes se çfarë po bëjnë në këtë vend”, ka shtuar ai.

 20:57

Haradinaj thotë se me emërimet në AKI ua mbuloi vakumin “atyre që s’po i bëjnë institucionet”

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka arsyetuar emërimin e Kreshnik Gashit drejtor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Burim Ramadanit, bashkëpartiak i tij në AAK, kryeinspektor në këtë institucion, si “mbulim i vakumit të këtyre që s’po e bëjnë qeverinë”.

Në Rubikon të KTV-së, Haradinaj ka thënë se për emërimin e Ramadanit ka marrë kritika vetëm “nga ata që duhet të kritikojnë vetveten pse s’po i bëjnë institucionet”.

Haradinaj ka thënë se Ramadani është lavdëruar gjithmonë nga të gjitha palët që kanë punuar me të, ndërsa kritika ka marrë vetëm brenda vendit.

“Krejt palët që kanë punuar me këtë njeri [Burim Ramadanin] e lavdërojnë, pse nuk doli askush me kritiku këtë emërim, as prej palëve ndërkombëtare, as askujt. Kini parasysh këta gjithë brenda vendit është mirë ta kritikojnë vetveten që nuk po i bëjnë institucionet se nuk kisha pas nge unë t’i emëroj. Këta që po më kritikojnë mu, le ta krijojnë qeverinë e le ta mshelin gojën. Duhet me iu ardhë marre çka janë kah bëjnë… Le t’i kryejnë punët e veta, t’i ndërtojnë institucionet, mos të ankohen çka po bën tjetri. Ata le të flasin, por edhe kanë për t’i marrë mbrapa çka duhet me iu thanë”, ka deklaruar ai.

“Unë kam dhënë dorëheqje në korrik, hyjmë në vit të ri… po hyjmë në vitin tjetër, këta njerëz që i kanë fituar zgjedhjet, Albin Kurti më shumë po rri në Berlin se në Kosovë. Unë po ua mbuloj vakumin këtyre”, ka shtuar ai.

“Po i emëroj se nuk mund të lë vendet zbrazët…”, ka thënë ai duke mbrojtur emërimet e tij duke thënë se janë korrekte e s’ka konflikte interesi.

 20:56

Haradinaj: Vetëvendosje mund të ketë gabim kalkulimin për zgjedhje të reja

Zgjedhjet e reja nëse dështon arritja e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e qeverisë, sipas kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, mund të jenë kalkulime të gabuara për VV-në.

Ai ka thënë se paralajmërimet që nëse dështon arritja e koalicionit VV-LDK, partia e Albin Kurtit do të marrë më shumë vota, mund të jenë gabim.

““Është e çuditshme kjo qasje, çka është suksesi atëherë, a është sukses të shkosh në zgjedhje apo t’i ndërtosh institucionet. Unë ju them se duhet bërë kujdes. Nëse dikush e ka bind Vetëvendosjen dhe Kurtin se i mjafton që t’ia lë fajin LDK-së, sepse s’po janë të arsyeshëm, t’i shkon në zgjedhje e rritesh, mundet mos m’i dalë ashtu, mund të jenë kalkulime të gabuara ato. S’do të veproja ashtu po të isha në atë pozitë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se i takon Kurtit që si lider i partisë që ka fituar të gjejë formulën për të ecur përpara.

“Unë kisha shpreh për besimin që më është dhënë, një votë më shumë se i dyti, je fitues. Por isha kujdes që ai që e ka një votë më pak se unë, se s’është diferencë e madhe, isha kujdes me gjet një formulë për me ecë para. Duhet me ecë jo pse ti po do, por se populli ka votuar ashtu”, ka deklaruar më tej ai.

 20:48

Haradinaj: Nuk më duket që Kurti e VV-ja dinë se si bëhen institucionet

Vonesat për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit ku fituese doli Vetëvendosja, sipas Ramush Haradinajt, po tregojnë që kjo parti nuk di se si të bëhen institucionet.

Pas mosmarrëveshjeve të Vetëvendosjes me LDK-në në bisedimet për formimin e qeverisë, Haradinaj ka thënë se partitë duhet të kenë kujdes e të angazhohen për të arritur marrëveshjen.

“Nuk mendoj që krijohen institucionet duke kërcënuar njëri-tjetrin publikisht, duke dalë me qëndrime, duhet të bëhet kujdes, situatës i duhet një frymë ndryshe dhe mirë është me i tregu popullit nëse e kanë nijet me i bë këto institucione, nëse e kanë nijet, le t’i bëjnë”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Haradinaj ka thënë se nuk po i duket serioze qasja e fajësimit të njëri-tjetrit në këtë raport.

“Nuk më duket shumë serioze kjo qasje, ne edhe para zgjedhjeve e kemi parë këto dy parti që kanë lajmëruar një koalicion parazgjedhor mirëpo u hetua se ma shumë ka qenë qëllimi si të fajësojnë njëri-tjetrin se nuk po bëhet koalicioni. Edhe qasja e tashme, nuk më duket që z. Kurti dhe Vetëvendosje janë kah e dinë se qysh bëhen institucionet. Nuk guxon të krijosh konflikt verbal dhe publik me palën që ke me punu me të, mundet me pas pakënaqësi, por nuk mundet secili që del në televizor me ja bë ligjin tjetrit, nuk është kjo punë me detyrim. Unë e kam përshtypjen që veç e kanë filluar një kurs, më shumë të fajësojnë njëri-tjetrin se pse nuk po bëhen se sa me bë qeverinë”, ka thënë tutje ai.

 20:18

Haradinaj: Ushtria e Kosovës s’ka kufizime për të shkuar në veri

Duke folur për Ushtrinë e Kosovës, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se s’ka asnjë kufizim për të shkuar në ndonjë pjesë të caktuar të vendit, duke iu referuar veriut të Kosovës.

Sipas tij, Ushtria e Kosovës ka mandat për të shkuar kudo në vend që i kërkohet. Megjithatë, ai ka thënë se ushtria nuk shkon në veri vetëm për të shitur mend.

“Nuk ka asnjë kufizim ushtria jonë për të shkuar në çdo pjesë të atdheut të vet. Ligjet janë votuar të tilla, vendimi është i tillë dhe parlamenti ia ka dhënë mandatin. Por, nuk e çojmë na ushtrinë në veri vetëm që t’u shesim mend disa serbëve lokalë, me ju tregu që kemi ushtri. Ne po kemi kujdes, ka serbë të Kosovës që po bëhen ushtarë. Nuk është qëllimi ynë t’i poshtërojmë ose të ju tregojmë serbëve të Kosovës, shtetasve të Kosovës, fuqinë tonë. Ushtria është bërë për t’u mbrojtur nga sulmet e jashtme, por edhe të brendshme nëse ka”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se për rendin dhe ligjin, edhe në veri, kujdeset Policia e Kosovës.

 20:11

Sipas Haradinajt, në Ballkan s’duhet të thuhet kurrë që s’mund të ketë luftë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se në rajonin ku është Kosova nuk duhet thënë kurrë që s’ka rrezik për luftë.

Sipas tij, duke u bazuar në ngjarjet historike dhe të luftërave në të kaluarën, është dëshmuar se Ballkani është rajon jo aq i qëndrueshëm dhe është i ndjeshëm.

“Nuk kisha pritu nëse kërkohet për vendin tim, pse jo. Nuk duhet kurrë me thënë që nuk ka rrezik sepse është keq, dihet prej historisë dhe periudhave të luftërave, që edhe në ato zona kur është menduar se kurrë nuk mund të ndodhë luftë, ka ndodhur. Ne duhet ta kuptojmë se jetojmë në Ballkan dhe Ballkani është i ndjeshëm, nuk është aq i qëndrueshëm”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

“Kosova duhet të punojë, të konsolidohet të forcohet, të jetë e aftë që të mbrojë veten dhe duhet të punojë që mos të ndodhë lufta kurrë, të mos jetë shkaktar i ndonjë lufte, duhet të jemi të kujdesshëm ta mbrojmë vetën tonë por edhe rajonin. Lufta nuk është e keqe për njërën palë por për secilën palë që përfshihet”, ka shtuar ai.