Haradinaj: Qeveria e vendosur në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të punëtorëve

E publikuar: 01/05/2019 13:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria është e vendosur në përmirësimin e gjendjes së punëtorëve.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, në Ditën Ndërkombëtare të Punërotëve, ka thënë se Qeveria e Kosovës, është e vendosur që të përmirësojë gjendjen e përgjithshme të punëtorëve, shkruan lajmi.net.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se për herë të parë, është nivelizimi i pagave në nivel nacional për sektorin publik dhe se sipas tij, kanë filluar edhe procedurat për rritjen e pagës minimale, në koordinim me të gjithë akterët social-ekonomik.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Qeveria është e vendosur që dialogun social ta mbajë të hapur, duke ndërmarrë njëkohësisht veprime substanciale në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të punëtorëve.

Për herë të parë është bërë nivelizimi i pagave në nivel nacional, për sektorin publik dhe ka nisë procedura për rritjen e pagës minimale, në koordinim me të gjithë akterët social-ekonomik.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është rast i mirë për të reflektuar se si të vendosim një bashkërendim ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, në partneritet me sindikatat dhe politikën, për uljen e papunësisë dhe që Kosova të ketë një treg të konsoliduar të punës.

Ndonëse vendi ynë ka një rritje ekonomike prej 4.7% me tendencë rritjeje të vazhdueshme, jemi të vetëdijshëm se ende kemi shumë punë që të drejtat e punëtorëve të realizohen në plotni, duke zbatuar Ligjin e Punës dhe garantim të sigurisë në punë. Të gjithë punonjësve, urime 1 Maji!. /