Haradinaj priti në takim ambasadorin William Walker

E publikuar: 17/01/2020 22:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ish shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker, me të cilin ka kujtuar kohët e vështira të Kosovës, në të cilat kohë, ai na qëndroi përkrah duke treguar dhe mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj e ka njoftuar ambasadorin Walker për zhvillimet politike, për proceset nëpër të cilat është duke kaluar Republika e Kosovës, me theks suksesin e Kosovës në procesin e fundit zgjedhor në vend dhe pritjet për konstituimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, të cilën e presin punë dhe përgjegjësi në avancimin e agjendës euroatlantike dhe zhvillimin demokratik të vendit.

“Kosova është me fat që në rrugëtimin e saj historik, ka pasur përkrah miq dhe aleatë, siç është Walker dhe populli amerikan”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se institucionet dhe populli i Kosovës do të jenë gjithmonë falënderues dhe mirënjohës.

Në këtë takim, kryeministri në detyrë Haradinaj falënderoi ambasadorin Walker për angazhimin e tij të palodhshëm për të bashkuar diasporën tonë, në të mirë të vendit dhe për të ngritur çështjen kombëtare.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj e ka nderuar ambasadorin Walker me medaljen e Skënderbeut, në ditën e kalimit në amshim të kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, po ashtu theksoi se kontributi i mikut të shqiptarëve, ambasadorit Walker, do të mbetet përherë në mendjet e qytetarëve të Kosovës, që i hapi perspektivë dhe shpresë ndërtimit të vendit.