Haradinaj premton se mërgimtarët nuk do të paguajnë më kartonin e gjelbër

E publikuar: 28/05/2017 19:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I nominuari për Kryeministër, Ramush Haradinaj ka bashkëbiseduar me qytetarët e Vushtrrisë. Tha se mërgimtarët kosovarë nuk do të paguajnë kartonin e gjelbër nëse ai do të qeverisë me vendin.
Haradinaj gjatë një fjalimi në Vushtrri, ka thënë se me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë tjera të koalicionit, në qytetin e Vushtrrisë pritet të përfundohen shumë punë të cilat sipas tij është dashur të përfundojnë më herët.

“Vushtrria një vend i qytetëruar, një vend i traditës i atdhedashurisë. Me AAK dhe kolegët tanë, në Vushtrri pritet jo punë por pritet të përfundojnë shumë punë të cilat kanë mundur të përfundojnë edhe dikur”, tha Haradinaj.

Haradinaj më tej tha se në momentin që zgjidhet kryeministër, do t’ju qëndroj afër të gjithë atyre që kanë qëllime për të hyrë në biznes.

“180 mijë ferma janë në Kosovë, shumë familjar që kanë tokë e shtëpi e oborr, që munden të bëjnë diçka, por ne nuk shkuam tek ata e t’i pyesim çka mund t’iu ndihmojmë. Por me qeverinë Haradinaj, të gjithë ata që duan me nis diçka nuk janë më vetëm”, theksoi Haradinaj.

“Kur qeveria ju rrinë afër, është ndryshe. Kur e kanë shtetin afër, kështu ec Kosova përpara”, tha Haradinaj, njofton Klan Kosova.

Kreu i AAK’së shtoi se mërgimtarët nuk do të paguajnë karton të gjelbër më.

“Motra dhe vëllai jonë që është në diasporë, s’do të paguajë më kartonin e gjelbër, e me prit shumë orë për me ardh në Kosovë”.

“Unë e kam përgjegjësi me e ndryshu Kosovën, është fillim i ri, një nisje e re në këtë vend, se i zoti i punës në këtë rast jam unë, kam përkrahje nga AAK, Nisma e PDK, por edhe nga plot parti të tjera që kanë ra dakord që Kosova me e pas një fillim të ri. Unë hala s’jom kryeministër, jemi koalicioni më i madh i mundshëm, por ju më bëni kryeministër më 11 qershor, unë e kërkoj ndihmën e juaj me 11 qershor”, tha Haradinaj.