Haradinaj: Po punohet për ta çrrënjosur mentalitetin se dikush është i paprekshëm

E publikuar: 20/03/2019 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se në Kosovë askush nuk është mbi ligjin dhe se vendi ka kapacitete që të përballet me raste komplekse. Tha se po punohet për ta çrrënjosur mentalitetin se dikush është i paprekshëm.

Këto deklarata shefi i Qeverisë i dha përmes profilit të tij në Facebook. Ka shtuar se duhet vullnet politik dhe vendosmëri në vendosjen e shtetit ligjor.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe Kosova ka kapacitete e guxim për t’u ballafaquar me raste komplekse. Në takimin e sotëm të Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, në fokus ishte roli i institucioneve tona në veprimin e tyre kundër mosndëshkimit. Për ta çrrënjosur mentalitetin se dikush është i paprekshëm kemi investuar në forcimin e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, kemi ndryshuar dhe forcuar ligjet, si dhe kemi vendosur politika të reja ndëshkimore për profilet e larta. Të vetdijshëm se kemi ende punë për të bërë për të dëshmuar sa duhet vullnet politik dhe vendosmëri në vendosjen e shtetit ligjor, në etapën para nesh sistemi i drejtësisë duhet të ketë synim parësor përfundimin me sukses të të gjitha rasteve të shënjestruara dhe të luftojë me efikasitet mosndëshkueshmërinë”, shkruan Haradinaj, transmeton Gazeta Expess.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur takimi i radhës i Nivelit të lartë të Sundimit të rendit dhe ligjit, në të cilën janë prezantuar të arriturat e fundit, nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.

Aty ndër të tjera Haradinaj tha se është koha e duhur të korrektojë secili vetveten, në mënyrë që rendi dhe ligji të jetë më efikas dhe që qytetarët tanë të rrisin besimin në institucionet e vendit.