Haradinaj: Po afrohet dita kur do të marrim lajmin për vizat, taksa nuk është e ndërlidhur

E publikuar: 18/06/2019 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në konferencë për media kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se po afrohet dita se kur do të merret lajmi për vizat, derisa ka theksuar se taksa nuk është e ndërlidhur me të.

“Thuhet se është marrë vendim negative nga ana e Këshillit të Evropës për vizat, por kjo nuk është ashtu. Ato janë konkluzione. Gjendja është korrekte sa i përket liberalizimit. Aktualisht propozimi për të marrë një vendim është në konsideratë nga Këshilli. Pra, për me u marrë vendimi ajo duhet të hyjë në agjendë. Vendimi mund të jetë edhe negativ, por ne e dimë se do të jetë pozitiv dhe po punojmë në atë drejtim”, ka thënë Haradinaj.

Ai e konsideron pozitiv faktin se Kosova ka hyrë tashmë në konkluzionet e Këshillit të Evropës.

“Janë disa pika që i dedikohen Kosovës, MSA-ja, taksa, ka hy në konkluzione edhe liberalizimi i vizave dhe kjo do të thotë që Këshilli do të marrë vendim për vizat. Mendoj se këtu ka ndihmuar shumë edhe Berlini zyrtar. Po afrohet dita kur ne do të marrim atë lajm. Taksa ka krijuar një atmosferë negative, por nuk është e ndërlidhur me vizat”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka pranuar se taksa është një problem në marrëdhëniet me të gjithë, ndikon, por në procesin e anëtarësimit në BE, Kosova nuk e ka të kushtëzuar me taksën.

“Ne kemi dhënë edhe mundësinë se si mund të dalim nga kjo situatë. Por, në pikën për vizat nuk përmendet taksa, pra nuk është një problem i ndërlidhur. Është duke u vlerësuar vendimi për liberalizimi nga ana e Këshillit për herë të parë. Një kornizë marrëveshje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e bën daljen nga kjo krizë rreth taksës”, u shpreh ai.

Ai thotë se lajmi se ka qenë vendim negativ i Këshillit të Evropës, nuk është i vërtetë.

Haradinaj thekson se është i lumtur që ka dështuar procesi i ndarjes së Kosovës në tavolinën e dialogut, derisa thekson se synimi është që Kosova të dërgohet në tavolinën e BE-së.

“Nuk jam këtu për me u përshtatë, as për me e përshtatë Kosovën. Ne jemi vend sovran dhe Kosovën duam ta çojmë në tavolinën e BE-së. S’kanë mundur të merren vendime sovrane për Kosovën në tavolinën e dialogut pasi është një tavolinë ad-hoc, dhe ka devijuar dialogu i zonjës Mogherini dhe i akterëve që kanë qenë aty, e edhe i sponsorizuesve dhe i krejt mafias për ndarjen e vendit tonë. Fatmirësisht që kanë dështuar dhe duhet ta kuptojnë se vazhdimi për kontaminimin e agjendës së Kosovës nuk ju ndihmon”, ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se kryetarët e zgjedhur të komunave veriore të Kosovës duhet të betohen para simboleve të Kosovës, ashtu siç e kërkon ligji.

“Mendojmë se çdo i zgjedhur në Kosovë duhet të betohen sipas ligjeve të Kosovës, e kjo është në dobi të të gjithëve”, ka thënë ai.