Haradinaj: Përjetë mirënjohës për ndihmën e gjeneralit Amerikan, Wesley Clark

E publikuar: 15/05/2018 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harroj ndihmën e gjeneralit Amerikan, Wesley Clark dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Emri i tij do të jetë përherë në kujtesën e shqiptarëve kudo që jetojnë ata”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ish- Komandantit Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Europë, gjeneralin Wesley Clark, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë kontributin e gjeneralit Clark gjatë viteve 1999, nën komandën e të cilit filluan intervenimet e NATO-s mbi caqet serbe, për të shpëtuar një popull të tërë shqiptarë të pambrojtur, ndaj të cilit ushtrohej gjenocid.

“Falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Presidentit Bill Clinton, Sekretares Madeleine Albright, Gjeneralit Wesley Clark, ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe gjithë botës demokratike që kontribuuan për lirinë e Kosovës, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Përjetë mirënjohjes gjithë atyre që shpëtuan nga shfarosja popullin tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur fondacionet amerikane që i dedikohen programeve arsimore.

Ish- Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, gjenerali amerikan Wesley Clark, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke theksuar se Kosova dhe populli i saj janë përherë në zemrën dhe mendjen e tij.