Haradinaj për rastin në Drenas: Prokuroria dhe Gjykata të dëshmojnë fuqinë në zbatimin e ligjit

E publikuar: 08/02/2019 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim pune ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, kryeshefen e Inspektoratit policor, Miradie Kelmendi dhe kryeinspektorin e Arsimit, Defrim Gashi, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit, pas rastit të abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Me këtë rast, Haradinaj ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer vepra të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi, transmeton Koha.net.

Po ashtu, kryeministri i ka bërë thirrje Prokurorisë së vendit, që t’i nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi.

“Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës në Drenas, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit”, ka theksuar Haradinaj.

Njëkohësisht, Haradinaj kërkon nga të gjithë mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen.