Haradinaj: Parametër i rëndësishëm për investime, është koha, të cilën e shkurton infrastruktura e mirë

E publikuar: 14/06/2018 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autoudhës R6 “Arbën Xhaferi”, të gjatë 11 kilometra.

Para të pranishmëve të shumtë, udhëheqësve institucionalë, ambasadorëve të akredituar në Kosovë, përfaqësuesve të kompanisë Bechtel & Enka, kryeministri Haradinaj tha se gëzimi i sotëm është i përgjysmuar, sepse gëzimin e plotë do ta kemi së shpejti në përfundim të kësaj rruge.

“Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta dhe për buxhetin e Kosovës janë obligim i madh, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo infrastrukturë e ndryshon pozicionin e ekonomisë në raport me ekonomitë fqinje dhe ato më të largëta dhe investitorët që do të mundnin të investojnë në Kosovë.

Kryeministri tha se një parametër i rëndësishëm për investime, është koha, të cilën e shkurton infrastruktura e mirë.

“Kjo infrastrukturë, që do ta përmbyllim edhe në autoudhë tjera të vendit, na pozicionon ne më mirë se shumë ekonomi të rajonit”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim në përfundimin e këtyre projekteve kaq madhore.

Kryeministri Haradinaj siguroi të gjithë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të këtyre projekteve duke qenë në nivel të obligimeve të marra, që të përmbyllen me sukses të gjitha projektet e nisura si dhe i uroi të gjithë punëtorët për punën e mirë që kanë bërë dhe gjithashtu edhe për festën e Bajramit.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se ky projekt na bënë krenar me faktin se Kosova shumë shpejt po shndërrohet në një lider transformimi modern në infrastrukturën më të mirë në regjion, derisa Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie duke përgëzuar për një punë të shkëlqyer dhe mbresëlënëse që është bërë në këtë autoudhë, tha se populli i Kosovë meriton të ketë rrugë të mira, të cilat bëjnë të mundur zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.

Nga ana tjetër, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se ky është segmenti i parafundit, i cili i paraprin përmbylljes së projektit gjigant, autoudhës “Arbën Xhaferi”, si shumë domethënës për ekonominë, dhe lidhjen e tij me korridoret pan evropiane.

Përurimi këtij segmenti, u bë nën moton e kampanjës “JO SHPEJTËSISË, PO SIGURISË”.