Haradinaj: Nuk shoh mundësi bashkëpunimi me VV, kemi krijuar distancë të madhe

E publikuar: 02/04/2020 21:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij nuk sheh ndonjë mundësi reale për bashkëpunim me Vetëvendosjen.

I pyetur se a mund të jetë AAK partnere e VV-së për të themeluar qeverinë e re, ai ka thënë se mes VV-së e AAK-së është krijuar distancë e madhe.

“Ne kem kriju një marrëdhënie të dallimeve substanciale me VV-në. Në shumë qëndrime kemi kriju një distancë të madhe. Është i pamundshëm bashëpunimi me Vetëvendosjen. Për Aleancën është i pamundshëm bashkëpunimi në këto rrethana”, ka thënë ai.

Haradinaj ka theksuar se VV-së mund t’i ofrohet sërish mandati, por nëse nuk arrinë ta bëj shumicën, atëherë këtë do ta bëj partia e dytë.

Ai ka thënë se Kurti nuk është në pozitën më të mirë për të bërë interpretime kushtetuese, ngase qeveria e tij ka shkelur kushtetutën së fundmi.

“Zoti Kurti nuk është në situatën më të mirë për të interpretuar Kushtetutën. Ai së fundmi është gjetë në shkelje të kushtetutës së vendit”, ka thënë Haradinaj