Haradinaj nuk organizoi akademi përkujtimore për njeriun që e bëri Kryeministër

E publikuar: 21/01/2018 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, i ka mjaftuar të bëjë homazhe dhe ta vizitojë familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe me kaq ta përmbyllë përkujtimin për 12-vjetorin e vdekjes së tij.
Haradinaj nuk organizoi akademi përkujtimore për njeriun që e bëri kryeministër
Kryeministri Haradinaj nisi miqësinë e thellë me asokohe presidentin Ibrahim Rugova gjatë kohës sa bashkëqeverisën. E kishte thënë edhe publikisht se përshtypja e tij për Rugovën nuk ishte aq e mirë. Kishte dëgjuar shumë thashetheme për të para se ta njihte nga afër.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit në vitin 2005 për t’iu përgjigjur Tribunalit të Hagës ndaj akuzave për krime lufte që rëndonin mbi të.

Asokohe presidenti Rugova ishte munduar që përmes imunitetit si kryeministër, të mos e dërgonte atë në Hagë. Megjithatë, Haradinaj kishte prehur dëshirën që të përballej me gjykatën ndërkombëtare për krime në ish-Jugosllavi.

Përpjekja e Rugovës që ta mbrojë kryeministrin Haradinaj nga juridiksioni ndërkombëtar i kishte mbetur në kokë. Këtë shpesh e kishte përmendur edhe vetë Haradinaj.

Pas gjykimit disavjeçar, Haradinaj doli i pafajshëm.

Familja Rugova e shpëtoi sërish Haradinajn

Kaluan disa vjet dhe Ramush Haradinaj erdhi në pozitën për t’u bërë kryeministër i vendit. Por rezultati i dalë nga zgjedhjet e përgjithshme nuk ia siguronin komoditetin. Votat e deputetëve të pozitës nuk mjaftonin. Kërkonte edhe vota tjera tek partitë opozitare.

Ishte familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova e cila iu gjend sërish afër për ta ndihmuar që ai të ngjitet në fronin e kryeministrit.

Teuta Rugova, vajza e ish-presidentit Rugova, pas zgjedhjeve të përgjithshme e kishte fituar mandatin e dytë si deputete.

Haradinaj nuk e harroi miqësinë e mëhershme dhe i shkoi në derë për të kërkuar ndihmë. Megjithatë, vlen të përmendet se pas ndarjes së LDK-së, ishte krijuar “Lista Dr. Ibrahim Rugova”, ku bënte pjesë edhe djali i tij, Ukë Rugova. Kjo Listë kishte hyrë në koalicion me AAK-në.

Pas takimit në familjen e Rugovës, Haradinaj, i cili ishte kandidat për kryeministër, nxori fjalët më të mira për këtë familje. Nuk vonoi shumë, edhe vajza deputete, Teuta, doli me fjalët më të mira për miqësinë mes babait të saj dhe Ramush Haradinajt.

Në fund doli që vota e saj ishte pro Haradinajt për kryeministër.

Haradinaj nuk organizoi as akademi përkujtimore për mikun e tij

Ish-presidenti Ibrahim Rugova sot mbushi 12 vjet nga vdekja e tij. Miku i tij, tash kryeministër, Ramush Haradinaj, mori mundin të bëjë nderime te varri i tij dhe më pas shkoi edhe te familja e tij, aty ku e gjeti vazhdimisht përkrahjen në rrugëtimin e tij politik.

Por, asgjë më shumë nuk doli nga zyra e kryeministrit si organizim për ta nderur këtë figurë nga i cili shpesh janë mundur të përfitojnë edhe vota.

Të paktën nuk u organizua asnjë akademi përkujtimore në nderim të tij.

Ka dikush që nuk e harron ish-presidentin. Partia e tij organizoi akademi përkujtimore ku u thanë fjalët më të mira për të. U tha që LDK dhe Kosova ishte me fat që e patën atë.

Nuk u harrua që ndaj kundërshtarëve politik që drejtohen një sërë akuzash për orientime të gabuara shtetërore.

Ndër rivalët politik të LDK-së është edhe partia e kryeministrit Haradinaj, AAK./Insajderi.com