Haradinaj nuk ndryshon mendim për rolin e Maxhunit në rastin e gylenistëve

E publikuar: 19/03/2019 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, po vazhdon të qëndrojë pas mendimit se tashmë kreu i AKI-së, e dikur shefi i policisë, Shpend Maxhuni, nuk ka gisht në aksionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq, raporton Gazeta Express

Duke folur para mediave, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, Haradinaj ka deklaruar se nuk mendon se Maxhuni ka gisht në atë dëbim.

“Nuk mendoj që duhet me u qit në pikëpyetje se Shpend Maxhuni ka pasur gisht në dëbimin e shtetasve turq”, ka shtuar ai.

Njësoj, Haradinaj pati deklaruar edhe para komisionit hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

I pari i ekzekutivit ishte deklaruar se Shpend Maxhuni nuk kishte rol urdhërues por zbatues dhe prandaj nuk ka marrë masa ndëshkuese ndaj tij, por ndaj ministrit të MPB-së, Flamur Sefajt.

“Ne kemi mujt krejt policinë me e çu në shpi po këta janë zbatues, nuk e kanë prodhu këta, produktin e ka ba Ministria e Punëve të Brendshme.

Nuk mundesh me ja atribu Shpend Maxhunit daljen nga ligji,  ngase ai është zbatues i urdhrave të Ministrisë së Punëve të brendshme”, pati thënë kryeministri.