Haradinaj nis ‘pazaret’ për Qeverinë

E publikuar: 22/07/2017 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër, gjatë ditës së djeshme ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast të dyja palët janë dakorduar që deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ta mbështesë kandidaturën e tij për kryeministër, shkruan sot Gazeta “Zëri

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili nuk arriti t’i sigurojë 61 vota pavarësisht se doli triumfues në zgjedhjet e 11 qershorit, tashmë ka nisur takimet individualisht me deputetë të subjekteve të tjera.

Gjatë ditës së djeshme i nominuari për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast të dyja palët janë dakorduar që deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ta mbështesë kandidaturën e Haradinajt, shkruan tutje Zëri.

Një gjë të tillë e ka pohuar tërthorazi vetë Haradinaj, i cili ka thënë se bashkëpunimi me familjen Rugova do të vazhdojë edhe sot, siç kishte vazhduar edhe në kohën e ish-presidentit, nga i cili kishte arritur të bëhej kryeministër.

Nga ana tjetër, Teuta Rugova, pas takimit, tha se vizita e Haradinajt ka qenë krejtësisht miqësore.

Ndërkaq i nominuari i PAN-it gjatë së premtes u bëri thirrje edhe LDK-së, edhe AKR-së që t’i bashkëngjiten kaolicionit fitues, mirëpo të dyja këto parti e refuzuan ftesën e tij.