Haradinaj: Nëse e përmirësojmë sundimin e ligjit, mund të marrim më shumë para nga Amerika

E publikuar: 20/11/2017 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, në të cilën ishin të pranishëm edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, zyrtari kryesor operues i ‘Sfidës së Mijëvvecjarit’, Jonathan Nash, si dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

Kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur me procesin zgjedhor të ditës së djeshme, duke thënë se kjo tregoi demokracinë e lartë të treguar.

Haradinaj pret që rregulli dhe ligji të funksionojnë edhe në fusha të tjera në mënyrë që Kosova të përfitojë më shumë nga fondet si ai i Sfidave të Mileniumit, transmeton Lajmi.net.

Ky është fjalimi i plotë i kryeministrit:

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, në të cilën ishin të pranishëm edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland, Zyrtari Kryesor Operues i MCC ( Sfidat e Mijëvjeçarit), Jonathan Nash, si dhe personalitete tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare në vend.

Zgjedhjet ishin fer, transparente, demokratike dhe si të tilla janë shtyllë e shtetësisë, por edhe e integrimit në familjen euroatlantike dhe uroj gjithë qytetarët, të gjitha partitë për suksesin dhe për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Sot, po e konfirmojmë një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.

Ishte kongresisti Engel që para më shumë se 30 vjetësh, i bindur nga burrat e ndershëm shqiptar, si z.Harry Bajraktari, miku ynë, dhe shumë shqiptaro-amerikan të tjerë nisën betejën në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kongresisti Engel dhe miqtë tjerë në Kongres, në Senat, në Qeverinë Amerikane, kanë dhënë kontributin kryesor që ne fituam lirinë dhe pavarësinë dhe sot po japin një kontribut të madh edhe në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik.

Mua para 15 vjetëve, më kanë thënë miqtë amerikanë që të fokusohem në Fondin e Korporatës së Mijëvjeçarit, por ne atëherë as nuk kishim shtet, as nuk i plotësonim kushtet.

Kaluan disa vite, e dini që disa prej atyre viteve nuk kam qenë në Kosovë, andaj gëzohem sot shumë kur shoh që këshilla e miqve amerikanë dhe puna e madhe është finalizuar dhe ne tani kemi Agjencionin Amerikan duke vepruar në Kosovë nëpërmjet Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës kanë qenë të informuar për nënshkrimin e marrëveshjes mes Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje u nënshkrua për herë të parë në histori të këtij Agjencioni Amerikan në Kongres, falë përkrahjes së kongresistit Engel. Populli i Kosovës ju falënderon kongresist Engel.

Nuk jemi këtu vetëm të festojmë, por jemi këtu të fillojmë punën. Kjo marrëveshje sjellë sot 49 milionë dollarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për sektorin e energjisë, por edhe për sektorin e drejtësisë.

Unë kam udhëzuar ministritë përkatëse, agjencionet dhe institucionet tjera, të bashkëpunojmë plotësisht në implementimin e kësaj marrëveshje. Mendoj se tri gjëra janë të rëndësishme sot, derisa po zhvillohet kjo konferencë; E para është se ky është një grant, një donacion i pakthyeshëm nga populli amerikan. Nuk është borxh apo kredi, por një ndihmë konkrete në projekte konkrete. Kjo ndihmë ka qenë e kushtëzuar në disa kushte, ne tani i kemi plotësuar ato kushte dhe po punojmë t’i marrim rezultatet e mira të punës sonë, t’i komunikojmë ato me publikun dhe me donatorët dhe synojmë rezultate edhe më të mira; E dyta është se fushat që do të financohen nga ky grant janë fusha që i kemi përzgjedhur vetë; E treta është se ne nuk do të ndalemi derisa të sjellim edhe investime tjera.

Nëse mbajmë mirë rezultatet e qeverisjes, e që me rëndësi në luftën kundër korrupsionit, nëse përforcojmë sundimin e ligjit, unë kam marrë siguri se Kosova mund të marrë edhe shumëfishin e kësaj shume, shumë shpejtë. Fati jonë është në duart tona dhe zhvillimi ynë ekonomik varet nga puna jonë.

Unë do të punoj shumë që zhvillimet pozitive të ndodhin, por edhe të raportohen dhe që në këtë punë të kemi një trekëndësh të mirë të bashkëpunimit mes Qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Programi i MCC-së fokusohet në dy fusha, e para është energjetika dhe e dyta qeverisja transparente.

Sot, MCC dhe Zyra e Sfidave që punon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, do të prezantojë dy produktet e para të punës, analizën makroekonomike të pengesave kyçe ekonomike, por edhe një sondazh të madh, një hulumtim të tregut të punës që është financuar nga paratë amerikane, me ekspertë amerikanë, me mbi 8.500 familje kosovare.

Mendoj se është shumë me rëndësi të cekim edhe njëherë se themelimi i fondacionit sot, është rezultat i punës së përbashkët.

Falënderoj edhe presidentin Thaçi, por edhe ish-presidenten Jahjaga për ndihmesën që kanë dhënë në zhvillimin e procesit dhe nënshkrimin e marrëveshjes.

Falënderoj edhe ish-kryeministrin Mustafa për kontribut. Duhet të falënderojmë edhe Koordinatorin Nacional të Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi, që me ekipin e tij kanë punuar shpejtë dhe mirë që këto mjete t’i sjellin në Kosovë.

Falënderim të posaçëm do t’i kushtojë Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe USAID-it, si dhe agjencioneve të OKB-së në krye me UNDP-në, që kanë punuar bashkë këto tri vjet për të raportuar indikatorët e MCC-së, dhe për të zhvilluar programin që po finalizohet sot këtu.

Prandaj, pa e zgjatur shumë, në kuadër të ingerencave të mia, dhe konform marrëveshjes ndërkombëtare që kemi nënshkruar me Qeverinë Amerikane, po e shpalli të hapur Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Kosovës, zoti i bekoftë miqtë e Kosovës dhe zoti e bekoftë aleancën tonë të përjetshme.”