Haradinaj: Ndërhyrja e NATO-s, e prirë nga Amerika, e kthehu shpresën tek populli ynë

E publikuar: 24/06/2019 17:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në promovimin e ekspozitës dhe pullës postare me portretin kushtuar 100 vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të presidentit amerikan, Woodrow Wilson dhe Qeverisë amerikane për të mbrojtur të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj tha se në kuadër të përvjetorëve të rëndësishëm të jetës tonë si Kosovë, por edhe të kombit tonë, ka pas nderin që para pak ditësh të priste në Kosovë presidentin e Amerikës, Bill Clinton, sekretaren Madeleine Albright, gjeneralin Wesley Clark, dhe se Kosova i ka nderuar këto figura kyçe të Amerikës në zbatim të pullës postare.

Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se në atë kohë është vënë në dijeni se një nderim i këtillë do të bëhet edhe për presidentin Wilson duke pasur parasysh rolin e tij të rëndësishëm në një periudhë të rëndësishme të historisë së kombit tonë.

“Mendoj se një sjellje e këtillë e jona falënderuese dhe shprehja e respektit buron po ashtu nga ajo që përjetuam në vitin ‘99 kur Amerika i priu NATO-s duke ndërhyrë dhe ndalur tragjedinë. Kjo ndërhyrje bëri që populli i Kosovës të shpëtohet, jeta e njerëzve të pafajshëm të shpëtohet, të rikthehet shpresa”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se aeroplanët e jetës i ndalen trenat e vdekjes dhe tragjedinë në Kosovë.

Kjo ndalje e kësaj tragjedie, siç veçoi kryeministri Haradinaj, është një vepër e mirë së pari për shqiptarët dhe se ky veprim i NATO-s i ka bërë një nder të madh edhe popullit serb, duke i shpëtuar nga një krim më i madh se ai që e kishin bërë deri atëherë e që do të ishte një njollë më e zezë për ta, për historinë e popullit serb.

“Mendoj që falënderimin më të madh Amerikës duhet t’ia bëj vetë populli serb dhe Serbia, sepse Amerika nuk i la të ecin në rrugën e krimit e cila do të ishte e keqja më e madhe që do të mbahej në mend në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke qenë kështu ndodhën dy të mira, u shpëtua populli I Kosovës, por u ndal edhe një e keqe”, tha në fjalën e tij kryeministri Haradinaj.

Një fjalë rasti mbajti edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ndërkaq të pranishëm ishin edhe ministra, deputetë, personalitete nga jeta politike dhe shoqërore si dhe përfaqësues nga Ambasada amerikane./Infosot/