Haradinaj: Mund të shkojmë aq larg sa të pajtohemi edhe me armiqtë

E publikuar: 03/05/2018 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në shënimin e 18 vjetorit të partisë që drejton, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se si subjekt politik janë në gjendje të shkojnë aq larg, sa që të pajtohen edhe me ata që deri dje kanë qenë armiq. Krejt këtë tha se e bëjnë për hirë të vlerës dhe jetës së re në vendin tonë.

Haradinaj, siç raporton kp, në pritjen solemne me rastin e 18 vjetorit të themelimit të AAK-së, tha se ky subjekt politik karakterizon realen, ballafaquesen dhe besnikërinë.

“AAK e ka guximin me arrit pajtimin dhe e karakterizon pajtimi i brendshëm ndër-njerëzor, ndër-qytetarë, ndër-fetar, politik, po ashtu me kundërshtarët e djeshëm politik, por pajtimi ndodhë vetëm përballë, pra nuk ka as jo fshehurazi dhe as po fshehurazi por ndodhin përballë në tavolinë, ne kemi ditë të pajtohemi me partnerët të koalicionit qeverisës dhe atë e kemi bërë përballë, andaj iu falënderoj shumë. Jemi në gjendje me shkuar më larg me pajtim, me u pajtu edhe me ata që deri dje kemi qenë armiq dhe këtë e bëjmë për hirë të vlerës dhe jetës së re në vendin tonë“, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, të tri karakteristikat e kanë bërë AAK-në të jetë vetvetja dhe partner të tjerëve.

“I ftoj të gjithë në Kosovë, i madh dhe i vogël që nëse vërtetë iu duhet dikush që bën politikë reale, që përballet dhe nuk fshehet por edhe që është besnik kur thotë po, të na jep mundësinë, të na jep besimin siç na ka dhënë deri sot“, ka thënë Haradinaj.

Përndryshe, mysafirë në pritjen solemne ishin ambasadorë të vendeve të ndryshme në Kosovë, përfaqësues të Listës serbe, Partisë Demokratike të Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe përfaqësues nga deputetët e pavarur.