Haradinaj: Me LDK-në jemi dakorduar për programin qeverisës

E publikuar: 05/05/2020 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Pejës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë obeliskut të dëshmorëve të kësaj komune.

Aty ai tha se sot nderojnë të gjithë dëshmorët dhe sakrificën e tyre për liri të vendit.

“Sot shqiptarët kudo që jemi nderojmë tek varrezat e dëshmorëve, tek memorialet, të gjitha ato vendet e respektuara ku pushojnë të rënët për liri. Unë sot e kam për nderë që qëndroj në Pejë, të nderoj para memorialit dedikuar luftëtarëve të Pejës, dëshmorëve të Pejës, heronjve të kombit, lavdi e përjetshme. Po ashtu, respekt për sakrificën e madhe, për angazhimin e madh, për veprën e çmuar e të gjithëve për liri. Jemi në liri e gëzojmë lirinë, e do të jemi çdo herë të lirë”, tha ai.

Kreu i AAAK-së nuk ka dashur të flas se a ka dallime në mes LDK-AAK-Nisma sa i përket programit qeverisës, duke thënë se do të respektojë ditën e dëshmorëve.

Megjithatë, ai shkurt tha se ka një dakordim në mes tyre.

“Meqë është kjo ditë e tillë që i dedikohet kësaj teme e kisha shfrytëzuar ndoshta mundësi që në një rast tjetër bisedojmë për këtë. Dihet që deri tash janë arritur marrëveshjet, ka një dakordim për programin qeverisës, pra nuk ka ndonjë aspekt që ka mbetur i hapur në atë marrëveshje. Po nëse duhet me hy më elaborua më shumë prapë e kemi mundësinë në ditë tjera”, tha ai.

Po ashtu, Haradinaj ka refuzuar të përgjigjet nëse duhet të ketë dorëheqje pas vdekjes së 26- vjeçarit në Qendrën e Studentëve, e shndërruar në karantinë.

“Tash në këtë ditë nuk po deklarohem për këtë temë, është e dhimbshme, i shprehi ngushëllime familjes, të gjithëve, do ta kemi rastin të bisedojmë për këtë”, tha ai.

Kreu i AAK-së gjatë ditës ka bërë homazhe edhe në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan të Deçanit. /KP/