Haradinaj: Ky Nikoliqi është i sëmurë

E publikuar: 27/02/2017 20:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë tha në Këshillin e Sigurimit se bota duhet të marr qëndrim ndaj Ramush Haradinajt, sepse ai ka kërcënuar Serbinë me luftë.

Këtij deklarimi i ka reaguar vet Haradinaj përmes llogarisë së tij në Facebook, njofton Klan Kosova.

“Tomisllav Nikoliq po e kërcënon Kosovën me luftë, e jo Ramush Haradinaj Serbinë”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nikoliq paska kërkuar në Këshillin e Sigurimit që Bota të marrë qëndrim ndaj meje, sepse unë e paskam kërcënuar Serbinë me luftë. Tomisllav Nikoliqi, ka qenë ai që para pak kohe, ka deklaruar se është i gatshëm që bashkë me djemtë e tij, të shkojë në Kosovë për të luftuar. A mos paska kujtuar ky ‘Zotnija’ se ne do ta presim me lule?”.

“E kam thënë dhe gjithmonë do ta përsëris, se kushdo që i fut duart në Kosovë, do ta marrë të njëjtën përgjigje si Millosheviqi në vitin 1998-1999. Ata le të rrinë në vendin e tyre e ta lënë Kosovën rahat e të mos i bijën në qafë as asaj e as mua”.

“Unë e kam mbrojtur vendin tim dhe gjithmonë do ta mbroj dhe këtë mund ta marrin ‘kërcënim me luftë’ vetëm ata që janë të sëmurë si ky farë Nikoliqi”.

“Ai, së pari duhet të tregojë se ku janë varrezat masive me shqiptarë në Serbi, që ende i mban sekret e tu kërkojnë falje shqiptarëve për krimet e Serbisë në Kosovë, e jo të merret me retorikë boshe”.