Haradinaj: Ky është qëndrimi im dhe i AAK-së për dialogun me Serbinë

E publikuar: 19/02/2020 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi të radhës në Facebook ka shkruar rreth qëndrimit të tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, rreth dialogut me Serbinë.

Në këtë drejtim, siç ka thënë Haradinaj, Kosova dhe statusi i saj politik është përmbyllë me 17 shkurt 2008, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm, transmeton Telegrafi.
”Diskursi dhe vendimi i heqjes së taksës, dhe kamuflimi i saj me reciprocitet e kthen Kosovën në proces dialogues tashmë të shpenzuar dhe është prapësim nga qëndrimi dhe ripozicionimi i Kosovës që e ndali ndarjen dhe e afroi Kosovën drejt Finales së Madhe duke e siguruar edhe rolin aktiv, parësorë dhe garantues të SHBA-ve”, ka shkruar ndër tjerash Haradinaj.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, ky është qëndrimi im dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për dialogun:

Kosova dhe statusi i saj politik është përmbyllë me 17 shkurt 2008, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.

Diskursi dhe vendimi i heqjes së taksës, dhe kamuflimi i saj me reciprocitet e kthen Kosovën në proces dialogues tashmë të shpenzuar dhe është prapësim nga qëndrimi dhe ripozicionimi i Kosovës që e ndali ndarjen dhe e afroi Kosovën drejt Finales së Madhe duke e siguruar edhe rolin aktiv, parësorë dhe garantues të SHBA-ve.

Kosova duhet të arrijë kontratën finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues më Serbinë, me pozicionet tashmë të definuara:

1) Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe – vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshjen e Parë të Parimeve që rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve të nënshkruara nga Kosova dhe Serbia më 19 Prill 2013, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, çështja Nr. KO130/15, dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

2) Të drejtat e Kishës Ortodokse serbe sipas Kushtetutës dhe Ligjeve në Fuqi, që u garanton status ligjor sipas projekt ligjit për liri fetare.

3) Sigurimi i vazhdimësisë së të drejtave të zgjeruara të komunitetit serb, sipas orientimeve të Planit të Ahtisaarit tashmë të mishëruara në Kushtëtutë, duke njohur të drejtat afirmative të komunitetit serb në vetëqeverisje lokale, në përfaqësimin qendror institucional, në të drejta afirmative në financa publike, arsim, siguri, religjion, dhe gjuhë.

Sot Kosova e ka në dispozicion ofertues edhe elementin e katërt:

4) Tregun e Kosovës, të mbrojtur tashmë me taksën 100%. Kjo taksë duhet të ofertohet me heqje vetëm në këmbim të Kontratës Finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë, e jo për rikthim në proces dialogues pa afate e kornizë të cilin tashmë e kemi tejkaluar.

Pozicionet për çështjet tjera të hapura me Serbinë si krimet e luftës, reparacionet, të zhdukurit, sukcesioni, dhe çështje tjera të inkorporuara në “Librin e Madh”, janë të gatshme dhe të disponueshme.

Këto pozicione duhet të jenë përfundimtare si pjesë e ofertës së tërësishme për njohje reciproke. Në këto qëndrime ne jemi të gatshëm të përkrahim dhe kontribuojmë. Në të kundërtën, në përputhje me interesat shtetërore, do të mbajmë përgjegjës secilin, për pasojat që i shkaktohen shtetit.