Haradinaj-Kurtit: Je marrë vesh për heqjen e taksës me zyrtarë që s’e kanë njohur Kosovën

E publikuar: 11/03/2020 19:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në seancën e jashtëzakonshme për raportet SHBA-Kosovë, fjalën e ka marrë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili ka thënë se Presidenti Thaçi nuk do të mund të ndalet nga bisedimet e fshehta përmes debateve parlamentare.

“Nuk mundeni me nal zotin Thaçi as me debate parlamentare, as me këto bisedimet interne. E vetmja mënyrë është me shku atje bashkë, dhe me e bë marrëveshjen bashkë”, ka thënë ai.

Ai ka zhvilluar një debat replikues të tensionuar me Kurtin. Në një moment Haradinaj i ka thënë Kurtit se është “zgërdhirë” me Bërnabiqin.

Haradinaj e ka akuzuar Kurtin se e ka negociuar heqjen e taksës me zyrtarë të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se fjalën në marrrëdhëniet Kosovë-Serbi, duhet ta ketë Uashingtoni.

“E kanë negociu heqjen e taksës me disa zyrtarë të BE-së, të cilët nuk e kanë njoftë Republikën e Kosovës. Në debatin Brukseli e Uashingtoni, për mu gjithmonë është Uashingtoni”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka vendosur taksën dhe e ka marrë pëlqimin e amerikanëve për themelimin e ushtrisë.

“I njëjti njeri që e ka vendosë taksën ka arritë me marrë pëlqimin për formimin e ushtrisë nga SHBA”, ka theksuar ai.