Haradinaj: Kurti dhe Osmani nuk duhet me pa ëndërr se do të kalojnë lehtë kur ta heqin taksën

E publikuar: 13/12/2019 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar pjesëmarrjen e Albin Kurtit, në një konferencë ndërkombëtare, ku Serbinë e përfaqësonte shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Haradinaj ka thënë në emisionin “A Show” në televizionin T7, se Kurti si kryeministër i ardhshëm i vendit, nuk është dashur të ulej në tryezë bashkë me Gjuriqin.

Ai ka vlerësuar se Kurti është dashur ta çonte në këtë tryezë një zyrtar rangut më të ulët për ta përfaqësuar Kosovën.

“Kur është Gjuriçi, ai duhet ta çojë një zyrtar teknik. Nëse është në konferencë zyrtare presidenti serb, Vuçiq apo kryeministrja Bërnabiq, shkon kryeministri apo mandatari për kryeministër”, ka thënë ai.

Haradinaj u ka dërguar një porosi Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për mundësinë e heqjes së taksës ndaj Serbisë.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk duhet me pa ëndërr zgjuar se do të kalojën lehtë kur ta heqin taksën, kur njerëzve shumë të fuqishëm të botës u kemi thënë jo për taksën. E kujt donë me ia heq taksën, Vuçiqit. Ai tash u bë edhe më i keq, se po i mohon edhe krimet e kryera në Kosovë”, tha Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që të jetë kryeministër për herë të tretë.