Haradinaj: Kosova kërkon drejtësi për krimet makabre që kanë ndodhë

E publikuar: 28/03/2019 14:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore, për të kujtuar 147 shqiptarët e vrarë nga forcat serbe në Izbicë, në 20 vjetorin e vrasjes së tyre.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, bashkëluftëtarë, e familjarë të të vrarëve të kësaj masakre, kryeministri Haradinaj tha se edhe kjo ditë e sotme, është një prej atyre ditëve të dhimbshme dhe për fat të keq kemi shumë këso ditësh.


“Edhe familjarët e Izbicës, masakrës më makabre që ka ndodhë në Kosovë, ku është vrarë edhe fëmija pa i mbushur një vjet, të moshuarit, të të dy gjinive, pa qenë asnjëri luftëtar ose pjesëtar, por të gjithë kanë qenë qytetarë të pambrojtur, do ta kishin më të lehtë sikur kjo të ishte e vetmja, sikur kjo dhimbje të ishte vetëm e juaja, por jemi  dëshmitarë që kjo dhimbje është në gjithë atdheun tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, duke përmendur masakrat në qytete e fshatra të shumtë të vendit, tha se është një ngecje dhe punë e ngadalshme e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, por edhe mos vendosjes para drejtësisë të autorëve të këtyre krimeve, masakrave, ku vetëm në Dukagjin janë mbi dhjetë të këtilla.


“Prej çdo perspektive, e drejta për Kosovën, e drejta për viktimat e Kosovës, nuk është vendosur dhe, edhe sot e kësaj dite është njëfarë neglizhence e faktorëve relevantë me vendos këtë të drejtë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se po kërkohet që të vërtetohet edhe njëherë kjo pafajësi, duke mos u vendosur e drejta për viktimat, kur dihet që kemi edhe gra të dhunuara.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj tha se kanë një dakordim ndërinstitucional, që të avancohet baza ligjore dhe statusi ligjor edhe i familjeve të martirëve, por edhe i atyre të të pagjeturve, duke qenë në komunikim më shoqatat e dala nga lufta, edhe të statusit ligjor të veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve.


“I tërë ky avancim i statusit ligjor, prapë nuk e zëvendëson asnjëherë jo vetëm dhimbjen, por edhe ndjenjën e gjithë neve se Kosova kërkon drejtësi për këto krime makabre që kanë ndodhë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar të gjithë për nderimet që po i bëjnë martirëve, dëshmorëve në vend.

Presidenti Hashim Thaçi, tha se sot kujtojnë të gjithë martirët dhe viktimat e terrorit të shtetit të Serbisë në vitet ‘98, ’99, por edhe më herët.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se ata që vranë të moshuar, të pambrojtur, që ishin nën mëshirën e zotit, vranë edhe fëmijët, por që nuk arritën të vrasin ëndrrën, atë të lirisë, e cila gëzohet sot.

Para të pranishmëve një fjalë tematike për masakrën e Izbicës mbajti profesori Ibrahim Gashi./Infosot/