Haradinaj: Kosova ka shënuar përparim në avancimin e rolit të gruas

E publikuar: 26/03/2019 13:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Edicionin e 7-të të konferencës “Java e Gruas 2019”, që filloi sot, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), me mbështetjen e USAID-it dhe Zyrë së Kryeministrit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, duke falënderuar për pjesëmarrjen në këtë konferencë të pranishmit, deputetet, ministret nga Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera, ambasadorin e ShBA-së, USAID-in, tha se ka kënaqësinë që i bashkohet veprimtarisë dhe angazhimit që NDI po bënë tash e 20 vjet në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj revokoi kujtimet që nga pjesëmarrja e tij në politikë, në të gjitha proceset që kanë kaluar, duke thënë së në gjithë rrugëtimin e tij temë e posaçme, gjithmonë i është kushtuar përfaqësimit të femrës, jo vetëm në jetën institucionale, por në përgjithësi në jetën që ndodhë në vend.

“Kam qenë pjesë e diskutimit kur është diskutuar ideja e kuotës për përfaqësimin e femrës dhe pas një debati, pune të përbashkët, kuota e përfaqësimit është kthyer në një normë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se bindja se duhet të përkrahet femra kosovare në vendimmarrje, në përfaqësim, ka evoluar shumë.

Kryeministri Haradinaj, tha më tutje se janë hequr shumë tema tabu që kanë ekzistuar, por megjithatë, në pjesën rurale është çështja e trashëgimisë, ku numri i femrave që kanë posedim një pronë ose që marrin trashëgimi prej prindërve, nuk është sa e djemve.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu theksoi se ekzistojnë ende sfida që kanë të bëjnë me kriteret, që duhet të vendosen në rast të vendimmarrjes, pastaj aspektet kulturore, fetare, si dhe tema të tjera, ku secili vend ka specifikat e veta.

“Në plot rrafshe, drejtime, Kosova nuk bën përjashtim nga popujt, shoqëritë euroatlantike. Në zhvillimin tonë të brendshëm, pozicioni, liria gjinore, mendojmë që ka shënuar progres”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se veprimet e përbashkëta si rasti i sotëm, janë momente që vlerësohen si të arritura.

Kryeministri Haradinaj uroi për një javë të suksesshme dhe tha se ky forum dhe këto organizime, si kjo sot janë të vlefshme për vetëdijesimin për të drejtën, pozitën dhe rolin e femrës në shoqëri.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, tha se presidentja Atifete Jahjaga, Era Istrefi, Majlinda Kelmendi, janë shembuj se si femrat kanë pasur kurajë për të sensibilizuar kauza të rëndësishme. Gjithashtu, ambasadori Kosnett përmendi edhe rritjen në 30 për qind të numrit të femrave në Policinë e Kosovës, duke thënë se kjo është mbresëlënëse.

Java e Gruas është një ngjarje vjetore që ka filluar në vitin 2012 nga NDI me mbështetjen e USAID-it. Edicioni i Javës së Gruas 2019 ofron një platformë për pjesëmarrësit të shqyrtojnë perceptimet e publikut lidhur me integritetin e proceseve politike në nivel lokal./Infosot/