Haradinaj: Kosova ka forcuar pozicionin e saj në një kryeqytet kaq vendimmarrës të Evropës dhe botës

E publikuar: 07/06/2019 17:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Nga vizita në Berlin dhe zhvillimet që kanë ndodhur atje, Kosova është në një nivel tjetër të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, me BE-në, pra ka avancim të proceseve tona, sikurse ka avancim edhe në atë që na intereson shumë, liberalizimin e vizave”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën për media pas kthimit nga vizita zyrtare në Berlin.

Kryeministri Haradinaj tha se vizita në Berlin është ndërlidhur me organizimin e Lutjeve Tradicionale, duke theksuar takimin me kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel dhe me deputetët e Bundestagut gjerman.

“Me këtë vizitë, këtë komunikim të ri dhe nivel të ri të marrëdhënieve i kemi dhënë shtytje përpara procesit të liberalizimit të vizave. Përveç pjesës time politike, e të vendimmarrjes, në Berlin qëndron edhe një grup teknik dhe profesional i cili vazhdon me punë në ballafaqim të të dhënave për implementim të vendimit për liberalizim”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se vendimi i Gjermanisë për t’i thënë PO liberalizimit do të jetë inkurajues edhe për vendet tjera, e po ashtu edhe për të hyrë në agjendë.

Kryeministri Haradinaj, në konferencën për media, tha se Kosova ka arritur një nivel të ri më të lartë të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë në të gjitha temat që i ndërlidhin dhe në takimet e zhvilluara është konfirmuar serioziteti i Kosovës në punët e shtëpisë, në qeverisjen e brendshme dhe në proceset tjera.

“Po ashtu është konfirmuar serioziteti ynë në agjendën integruese për Kosovën në Evropë, në integrimet euroatlantike, por po ashtu është vërtetuar serioziteti në atë që dihet si temë e rëndësishme, dialogu me Serbinë”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke theksuar se pozita e Kosovës ka shënuar avancim në raportet bilaterale me një shtet të fuqishëm të Evropës dhe botës, kryeministri Haradinaj, falënderoi kancelaren Merkel, Qeverinë gjermane, institucionet e Gjermanisë për këtë sjellje kaq serioze dhe korrekte me Kosovën.

“Kosova nuk e ka pasur këtë situatë me marrëdhëniet me Gjermaninë. Kjo është një fitore e Kosovës, një zhvillim i ri”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është mirë që Kosova është në një pozicion të tillë në një kryeqytet kaq vendimmarrës të Evropës dhe botës.

Në fjalën e tij, para mediave, kryeministri Haradinaj, tha se Kosova ka vërtetuar se është palë serioze edhe sa i përket procesit të dialogut me Serbinë./Infosot/