Haradinaj kërkon angazhim më të madh për zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane

E publikuar: 22/09/2017 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë sot pjesë në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrimin Evropian, që ka pasur fokus zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA).

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka paralajmëruar se takimet e tilla do të mbahen çdo javë, për shkak të rëndësisë që ka për Kosovën kjo agjendë, e cila del si obligim nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, thuhet në kumtesën e kryeministrisë.

“Ju e dini, para pak kohësh, ju drejtohem kolegëve tanë ministra, ju kam drejtuar me letra ministrave përkatës dhe kërkesat që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane që buron nga MSA-ja, e cila për ne është obligim. Kosova duhet në afatin kohor që ka përpara vetes të implementojë këto detyra qeverisëse. Ministrat duhet të vijnë me raportim preciz, por edhe institucionet tjera që ju takojnë detyra, në mënyrë që ne të mund të vërtetojmë që zbatimi i MSA-së është proces që po ndodhë”, ka theksuar kryeministri Haradinaj, transmeton lajmi.net.

Kryeministri Haradinaj ka rikujtuar se dokumenti në fjalë parasheh detyrat e këtij viti, dhe se në fund të vitit do të saktësohen detyrat tjera që dalin nga ky proces.

“Ne kemi deklaruar si partner qeverisës, si koalicion, si Qeveri tanimë, se e kemi prioritet integrimin evropian, MSA-në. Kemi paraparë që me përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja, aplikimin për statusin e kandidatit të Kosovës për anëtarësim në BE, kuptohet që puna është e madhe. Nuk e bëjmë këtë për hatër të BE-së, e bëjmë për të mirën e qytetarëve të vendit, atyre që jetojnë në Kosovë, dhe nga ana ime unë do të jem koleg në këtë temë, si dhe do të kërkojmë që të kemi kolegë dhe të punojmë bashkë me të gjithë mekanizmat e BE-së që punojnë në Kosovë dhe me znj. Apostolova dhe kolegët tjerë”, tha kryeministri.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, theksoi edhe njëherë përkushtimin e Kosovës për integrimet evropiane. “Për Kosovën, integrimi evropian nuk është alternativë, por është rrugë të cilën e kemi zgjedhur dhe ne duhet të kryejmë detyrat tona dhe të shënojmë progres. Në këtë aspekt, prioritet yni është kryerja e detyrave të dala nga Agjenda e Reformave Evropiane”, tha ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha përmendi edhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Kornizë për qasjen në programet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo marrëveshje konfirmon BE-në si partneren më të madhe zhvillimore për Kosovën.