Haradinaj: Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë në luftimin e korrupsionit

E publikuar: 16/10/2017 22:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një koktej, për të kremtuar Marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), program ky prej të cilit Kosova ka përfituar 49 milionë dollarë.
Haradinaj ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. “Personalisht, jam i kënaqur që pjesë e detyrave të mia është edhe zbatimi i projektit nga populli amerikan për popullin kosovar. Dua të falënderoj të gjithë ata që ishin pjesë e këtij projekti dhe bënë punën e tyre që ne të festojmë sonte”, ka thënë kryeministri.

Haradinaj ka theksuar se do të punohet çdo ditë, për të dëshmuar përkushtimin e Qeverisë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

“Kosova është duke bërë përpjekje për të forcuar sundimin e ligjit, duke zgjeruar reformat në gjitha sferat e jetës sonë. Kosova është e gatshme të marr përgjegjësitë e veta, jo vetëm me forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në luftimin e korrupsionit. Jemi të gjithë si ekip, dhe besoj se do ta dëshmojmë këtë përkushtim çdo ditë pune”, ka shtuar ai. /Express/