Haradinaj ia kthen Presidentit: I ke shkaktuar dëm Kosovës duke bërë pazare me sovranitet

E publikuar: 22/06/2019 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, njëri President Shteti tjetri Kryeministër i Republikës, janë përfshirë përsëri në akuza se kush po e dëmton më shumë Kosovën. Haradinaj ka thënë se është bërë dëm i madh që dikush ka tentuar të bëjë pazare me sovranitetin e Kosovës. Më herët Presidenti tha se Kosova është fajtore pse po dështon dialogu me Serbinë, pse s’po mbahet Samiti i Parisit dhe pse s’kemi liberalizim vizash,transmeton Express.

“Ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë. Mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që këto i ka prapë të pacenuara. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madhë, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruar Haradinaj, në reagim, dy orë pasi Thaçi lëshoi akuza në drejtim të institucioneve se po marrin vendime të pakoordinuara me miqtë ndërkombëtarë.

Presidenti Hashim Thaçi i ka bërë përgjegjëse institucionet e Kosovës pse po dështon Samiti i Parisit, pse s’ka dialog me Serbinë dhe pse kosovarët s’po lëvizin pa viza.

Nuk ka përmendur emra, por, ka thënë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës kanë dëmtuar raportet me ndërkombëtarët.

“Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi, në një reagim në Fb.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se Kosova po bëhet përgjegjëse nga ndërkombëtarët edhe për dështimet e Samiteve, atij të Berlinit dhe të Parisit.

“Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”, ka shtuar ai.

Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë nisur të përplasen me deklarata prej kohës kur Presidenti hapi temën e kufijve. Këtë e kishte kundërshtuar Kryeministri, i cili ka vendosur edhe taksën ndaj Serbisë për të bllokuar këtë proces dialogues.

Presidenti e kishte kërcënuar disa herë Haradinaj me shkarkim nëse vazhdon me të njëjtën qëndrim. Madje, një herë i kishte thënë se Haradinaj e ka bërë ‘skllotë’.

Ka kohë që Shefi i Qeverisë dhe Shefi i Shtetit s’kanë pasur takim e as komunikim normal. Madje komunikim normal s’kanë asnjëri prej shefave të tri institucioneve, Presidencës, Qeverisë e Parlamentit. Kjo pasi Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli s’kanë pasur komunikim normal mes vete.