Haradinaj: I kemi privatizuar 200 hektarë tokë e jo njëmijë, kemi riblerë tokën tonë

E publikuar: 05/03/2016 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramush Haradinaj ka thënë se banorët e Gllogjanit i kanë blerë 200 hektarë tokë në kohën e privatizimit të pronave në rajonin e Deçanit. Por, ka thënë se nuk janë 1000 hektarë qysh është raportuar nga Agjencia e Privatizimit.
Haradinaj, në fakt, ka thënë se e ka riblerë tokën pasi u ishte marrë nga pushteti serb.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se këto të dhëna po publikohen për të tërhequr vëmendjen nga mbrojtja e 12 mijë hektarëve tokë që i janë falur Malit të Zi.

“Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës”, ka shtuar ai.

Reagimi i plotë i Haradinajt:

E kemi riblerë tokën tonë

Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.

Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund tëjetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.

Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.

Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës.

R H