Haradinaj i duartroket marrëveshjeve, kërkon finalen e madhe njohje reciprok

E publikuar: 14/02/2020 11:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tani është e nevojshme finalja e madhe, njohja reciproke si ka potencuar presidenti amerikan në dy letrat e vitit të kaluar

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjeve për hekurudhat dhe autostradat në Mynih.

Në një shkrim në Twitter, Haradinaj ka thënë se e duartroket këtë marrëveshje.

Ai shton se tani është koha për finalen e madhe në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“E duartrokas vizionin dhe lidershipin e Richard Grenell dhe presidentit amerikan për udhëheqje dhe lehtësim efektiv të normalizimit dhe funksionimit të hekurudhave dhe autostradave që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Tani është e nevojshme finalja e madhe, njohja reciproke si ka potencuar presidenti amerikan në dy letrat e vitit të kaluar”, ka shkruar Haradinaj.

Kjo është bërë nën prezencën e ambsadorit amerikan Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriq.

Përmes këtyre letrave, Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëri-tjetrin, ashtu si edhe me Europën.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe ujdinë – e cila erdhi befasishëm – për rihapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.