Haradinaj: Gjermania partner shumë i rëndësishëm i Kosovës!

E publikuar: 18/12/2018 17:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, Stephan Mayer, sekretar parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

Gjatë takimit, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën.

Me këtë rast, Haradinaj e njoftoi  Mayer për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese dhe fuqizimin e tërësishëm të shtetit.

Haradinaj ka përmendur gjithashtu faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, në procesin e liberalizimit të vizave.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar Mayer për përkrahjen e madhe të Gjermanisë për shtetin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit në shumë drejtime.

“Gjermania është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës duke qenë mbështetëse e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Haradinaj.

Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për çështjet tjera të rëndësishme për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi, për proceset politike brenda Kosovës si dhe për perspektivën eurointegruese.