Haradinaj ende s’i ka bërë kërkesë zyrtare Maqedonisë për kërkimin e policëve të zhdukur

E publikuar: 01/05/2018 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri, Ramush Haradinaj ende nuk i ka bërë kërkesë zyrtare Maqedonisë për kërkimin e dy policëve të zhdukur tri ditë më parë pas aksidentit që kanë pësuar në rrugën Hani i Elezit – Kaçanik.
Kreu i ekzekutivit ka konfirmuar se ende nuk ka bërë një kërkesë të tillë kjo ngase sipas tij, do të bëhet pasi të përmbyllën kërkimet në territorin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Por në momentin që ta përmbyllëm në territorin e Kosovës, unë ende nuk i kam bërë kërkesë zyrtare Maqedonisë, për kërkime atje. por ma shumë kam bërë kërkesë miqësore që të interesohen. Kur të mbyllen kërkimet në Kosovë do ta bëjë një kërkesë zyrtare edhe nga ana e Maqedonisë”.

Haradinaj këtë e ka bërë të ditur nga Skenderaj, pas takimit me kryetarin Bekim Jashari.

Sipas tij, për gjetjen e dy policëve po vështirësojnë kushtet e pafavorshme për shkak të lartësisë si dhe të lumit të rrëmbyeshëm.

“Nuk ka diçka të re ende, kërkimet janë intensifikuar, atje kam qenë vetë dhe kemi shtuar numrin e personalit aktiv, mirëpo rrethanat janë tejet të pafavorshme për shkak se lartësia nga kanë rënë policët është shumë e madhe dhe vetvetiu gjendja e trupave nuk mund të jetë e lehtë identifikuar por edhe lumi i rrëmbushëm”, ka deklaruar kryeministri.

Haradinaj tha se presin që shumë shpejt të zgjidhet çështja e sigurimit të pjesëtareve të Policisë së Kosovën, të cilët edhe 18 vjet pas themelimit të këtij institucioni nuk e gëzojnë të drejtën e sigurimit shëndetësor.

“Sa i përket sigurimit për policinë, jemi duke e trajtuar ketë teme, sindikata e ka një propozim, jam i bindur se kjo nuk do te shkoj ne pakufi derisa të hyje ne fuqi, pra ligji. nuk po avancoj me thënë kur e si por jemi në bisedime, kemi pasur edhe në të kaluarën. Sot do t’i pres sindikatën në ora 16. Jemi në proces që kjo të ndodh. Janë bërë 20 vjet duhet të ndodh”.

“Do të ju qëndrojmë afër familjes së policëve si Qeveri dhe si shtet nuk do të turpërohemi nga policët të cilët më të vërtetë po kryejnë punë të madhe në vendin tonë”, ka deklaruar Haradinaj./lajmi.net/