Haradinaj e quan të turpshme kërkesën e Bërnabiqit drejtuar Ramës për tërheqjen e njohjes së Kosovës

E publikuar: 25/12/2018 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkesën e PSD-së për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, e ka konsideruar legjitime.

Sipas tij, të gjitha kërkesat e PSD-së janë legjitime dhe janë të arsyeshme.

“E kam thënë, të gjitha kërkesat që i kam marr prej PSD-së janë legjitime, si ajo për ligj për dialog, ligji për paga, ligji për financim të partive politike, të skemave pensionale… Të gjitha këto kërkesa kanë legjitimitetin e vetë sikurse e patë dje e votuam në Qeveri ligjin për dialogun edhe jemi në proces të temave tjera, por janë legjitime kërkesat, pra kanë bazë, janë të arsyeshme”, ka thënë Haradinaj, raporton Kosovapress.

Duke folur për dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradin, kreu i Qeverisë e ka konsideruar të turpshme kërkesën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ju e shihni që kryeministrja e Serbisë po vazhdon me letra për qeveritë e ndryshme. Nuk i ka ardhur marre t’i dërgojë letër edhe Edi Ramës e të kërkojë tërheqjen e njohjes. Derisa Serbia ka këso qasje, atëherë kuptohet shumë mirë çka kemi vepruar ne”, u shpreh i pari i Qeverisë së Kosovës, duke iu referuar taksës 100 për qind për mallrat serbe.

Këto komente kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri gjatë vizitës që i bëri organizatës “Autizmi Flet”, të cilët kanë vendosur një shtëpizë në sheshin “Zahir Pajaziti” ku përmes saj po e ndihmojnë këtë grup të shoqërisë.