Haradinaj: Drenica dhe Kosova po sfidohen seriozisht

E publikuar: 24/10/2016 23:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Dënimi i udhëheqësve të Drenicës nuk është gjë tjetër veç vazhdim i persekutimit të figurave rezistente të luftës dhe pas luftës, vlerëson deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj.
“Më vjen vërtetë keq që më herët u ndëshkuan Syla e Samia e nga sot edhe miku im Fadili bashkë më të vllain e tij dhe dy tjerë që i kam njohur mirë”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.

“Drenica dhe Kosova po sfidohet seriozisht në ato që për mua janë të shenjta, por ju djemë sot jeni më të mëdhenj për mua sesa gjithë ata që ju persekutuan. E di se si ndjeheni sonte por besoj qe kjo histori do përfundojë shpejtë”, ka shtuar Haradinaj në rrjetin social.

Gjykata e Apelit e Kosovës në Prishtinë sot ka sjellë aktgjykimin në rastin “Drenica II”. Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Sylejman Selimi i është ulur dënimi prej 8 vjetëve në 7 vjet burgim.

Sipas avokatit Tomë Gashi, Gjykata e Apelit sot ka konfirmuar dënimin edhe për të akuzuarit e tjerë në këtë rast si: Isni Thaçi me 6 vjet e 6 muaj burgim, Zeqir Demaku 6 vjet burgim dhe Jahir Demaku 6 vjet burgim.

Po ashtu Agim, Driton, Bashkim si dhe Selman Demajt i është konfirmuar dënimi me nga 3 vjet burgim. Fadil Demakut dhe Nexhat Demakut i është konfirmuar dënimi me burgim me nga 3 vjet. /Express/