Haradinaj deklarohet pas fjalëve të Britanisë së Madhe kundër prekjes së kufijve

E publikuar: 05/03/2019 21:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar të martën Britaninë e Madhe, për qëndrimin që ka shfaqur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Duke folur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, ka thënë se “arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”.

Nëpërmjet një shkrimi, të publikuar në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet, Haradinaj ka thënë se është “mirënjohës dhe falënderues për qasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj”.

“Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë, Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka thënë Haradinaj.

“Kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka thënë Haradinaj.