Haradinaj, Clintonit: Mirë se erdhe në shtëpinë tënde

E publikuar: 11/06/2019 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ish-Presidentin amerikan, Bill Clinton.

Clinton po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se Clintoni është kthyer në shtëpinë e tij dhe se për shqiptarët është njeriu më i dashur.

Postimi i Haradinajt:

Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen! Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosshmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës! Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën! President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin Tuaj.

Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën!